Gjermania ka frikë se reduktimi i gazit nga Rusia mund të bëhet i përhershëm

Furnizimi me gaz rus në Gjermani nëpërmjet gazsjellësit Nord Stream 1 në Detin Baltik është ndërprerë për 10 ditë.
Operatorët e tubacionit të mbështetur nga Rusia kanë thënë se masa është për shkak të punës vjetore të mirëmbajtjes. Por ministrat gjermanë besojnë se mbyllja është e motivuar politikisht për të ushtruar presion mbi Berlinin.
Muajin e kaluar, ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck ka thënë se presidenti rus Vladimir Putin po përdor gazin si armë në përgjigje të sanksioneve të BE-së, përcjell rtv21.tv
Në mesin e qershorit, firma shtetërore ruse e gazit Gazprom ka shkurtuar rrjedhat e gazit përmes Nord Stream 1 në vetëm 40% të kapacitetit të tubacionit. Ai ka fajësuar një vonesë në kthimin e pajisjeve që po servisoheshin nga “Siemens Energy” e Gjermanisë.
Qeveria kanadeze ka thënë se tani do të kthejë një turbinë të riparuar “Siemens” në Gjermani për tubacionin. Ky veprim ka zemëruaq Qeverinë ukrainase, e cila ka akuzuar Kanadanë për përshtatjen e sanksioneve të vendosura ndaj Moskës për tekat e Rusisë.
Kanadaja ka thënë se po i jep “Siemens Kanadasë” një leje të kufizuar në kohë dhe të revokueshme për të dërguar turbinat e riparuara në Gjermani, pavarësisht sanksioneve.
Qeveria gjermane është e shqetësuar se furnizimet me gaz mund të reduktohen ose të ndërpriten përgjithmonë, raporton BBC
Mbyllja e tubacionit po prek gjithashtu Italinë, ku grupi energjetik “Eni” ka thënë se do të merrte rreth një të tretën më pak gaz nga Gazprom-i i Rusisë të hënën, krahasuar me vëllimet mesatare të furnizuara gjatë ditëve të fundit.
Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol, ka paralajmëruar se Rusia mund të ndërpresë plotësisht furnizimin me gaz në Evropë dhe se Evropa duhet të përgatitet tani./21Media

Back to top button