Gjermania ndërpret bashkëpunimin me Kosovën në disa fusha shkaku i tensioneve
Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ka ndërprerë përkohësisht bashkëpunimin me Kosovën në disa fusha të caktuara, shkaku i mospërmbushjes së kërkesave të Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Nga kjo masë – të cilën Gjermania thotë se e mori në përputhje me veprimet e Brukselit – nuk preken “projektet me sektorin e shoqërisë civile, si dhe projektet që kemi filluar t’i zbatojmë”.
“Masat përfshijnë shtyrjen e konsultimeve qeveritare për bashkëpunimin për zhvillim, pezullimin e një partneriteti të parashikuar dypalësh rreth klimës dhe dorëzimin e pajisjeve specifike për ofruesit e sigurisë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Gjermanisë për REL-in.
Në fund të muajit qershor, BE-ja njoftoi se kishte vendosur disa masa të përkohshme ndëshkuese ndaj Kosovës, pasi që Qeveria e vendit nuk ndërmori hapat e kërkuar nga blloku evropian për shtensionim të situatës në veri.
Në atë pjesë të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, tensionet janë të larta që nga fundi i majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave hynë në zyrat e tyre, me gjithë rezistencën dhe protestimin e banorëve serbë.
Protestat e tyre u përshkallëzuan edhe në përleshje të dhunshme, me dhjetëra të plagosur – në mesin e të cilëve edhe ushtarë të misionit të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë, KFOR.
Kosova ende nuk ka ndërmarrë ndonjë hap, pavarësisht thirrjeve nga komuniteti ndërkombëtar që t’i tërheqë kryetarët shqiptarë dhe të organizojë zgjedhje të reja.
BE-ja pezulloi përkohësisht punën e të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) – që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok – si dhe ftesat për pjesëmarrjen e Kosovës në takime të nivelit të lartë.
Si BE-ja, ashtu edhe Gjermania, kanë theksuar se këto masa janë të përkohshme dhe mund të hiqen nëse Kosova ndërmerr hapat e kërkuar për shtensionim të situatës.
“Ne dëshirojmë të theksojmë se të gjitha projektet e prekura [nga këto masa] mund të rifillojnë në çdo moment. Për këtë kërkohet zbatimi urgjent i masave të nevojshme për de-përshkallëzim të situatës në komunat në veri”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Gjermanisë. /REL