Gjermania nis hetimet për krimet e luftës në Ukrainë

Prokurori federal i Gjermanisë ka hapur një të ashtuquajtur “hetim strukturor” për krimet e dyshuara të luftës të kryera nga trupat ruse që nga pushtimi i Ukrainës, tha zyra e prokurorit për CNN të martën.
“Zyra e Prokurorisë Federale ka hapur një të ashtuquajtur hetim strukturor në lidhje me konfliktin e armatosur ndërkombëtar midis Rusisë dhe Ukrainës”, thuhet në një deklaratë dërguar CNN.
“Ka indikacione konkrete se krimet e luftës mund të jenë kryer tashmë, në veçanti krimet e luftës që përfshijnë përdorimin e metodave të ndaluara të luftës kundër civilëve ukrainas si dhe objekteve civile”, thuhet tutje në deklaratë, transmeton rtv21.tv.
Një hetim strukturor nuk synon të dyshuar të veçantë, tha prokurori federal i Gjermanisë në Karlsruhe, por ai synon të mbledhë prova për krimet e dyshuara dhe të identifikojë strukturat pas tyre. Provat më pas mund të përdoren në procedurat penale të ardhshme kundër të dyshuarve individualë, shpjegoi prokurori federal i Gjermanisë për CNN.
Në të kaluarën, Gjermania ka ndjekur në mënyrë të përsëritur mizoritë e kryera jashtë vendit, duke përfshirë krimet e luftës në Siri. Në janar, një gjykatë gjermane dënoi një ish kolonel të ushtrisë siriane me burgim të përjetshëm, në gjyqin e parë të torturës kundër regjimit të presidentit Bashar al-Assad./21Media

Back to top button