​Gjilani-Prishtina, mbyllet pjesa e parë, spektakël vetëm në tribuna

Ka përfunduar pa gola pjesa e parë e finales së Kupës së Kosovës në futboll ndërmjet Gjilanit dhe Prishtinës që po zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Gjatë 45 minutave të dyja skuadrat kanë shfaqur lojë shterpë duke mos krijuar asnjë rast shënimi dhe duke mos shfaqur futboll të bukur për tifozët e pranishëm.

Ndryshe nga ajo që po ndodh në fushë, spektakël i madh po bëhet në tribuna, aty ku “Plisat” dhe “Skifterët” po mbështesin skuadrat e tyre.

Në minutën e 15’ ndeshja u ndërpre për pak minuta për shkak se tifozët e Prishtinës në shenjë proteste ndaj kryesisë së klubit hodhën mjete piroteknike në fushë, derisa këndonin kundër drejtuesve të klubit.

“Armiku i klubit janë vetë kryesia”, ishte baneri i shpalosur nga “Plisat”.

Arsyet e këtyre protestave nga tifozët kanë të bëjnë me faktin se Prishtina ndodhet në një krizë të thellë financiare si rezultat i së cilës edhe nuk po licencohet për pjesëmarrje në garat evropiane.

Back to top button