Gjinekologjia regjistroi më pak lindje në 2020

 

Marsi solli në vendin tonë virusin SARS-COV-2, duke shtuar pasigurinë për të ardhmen. Më shumë stres e frikë pati edhe tek shtatzënat të cilat prisnin të bëheshin nëna në vitin 2020. Sipas të dhënave, gjatë vitit të kaluar, vetëm në Klinikën Gjinekologjike në QKUK pati më pak lindje se në 2019.

Elmedina Hoti lajmin se do bëhej nënë e mori në fillim të prillit kur vendi tashmë ishte në izolim total për shkak të paraqitjes së rasteve të para me koronavirus. Mirëpo, gëzimi shpejt i la vendin frikës për të shkak të panjohurave që solli COVID-19.

21-vjeçarja thotë se viti 2020 ka qenë i vështirë për të duke ia vështirësuar edhe muajt e shtatzënisë por arriti ta mbyllë në mënyrën më të mirë duke sjellë në jetë një vajzë të shëndoshë.

“Pandemia ka qenë e vështirë për çdo gjë, por lindja është kryer mirë. (Pandemia) ndikoi se është problem sepse pandemia preku shumë njerëz. Frikë (kisha) normal se rrethanat kanë qenë. Kam pasur lindje normale kemi shpëtuar të dyja. Frika ka qenë gjithmonë se shtatzënia 2020 dhe virusi ka qenë i përhapur shumë”, u shpreh Hoti.

Për shkak të komplikimeve, Arta Ramadani nga Gjilani kishte vendosur që lindjen e saj ta kryente në Klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë. Në muajt e pritjes shumë pikëpyetje kishte në kokën e saj. Frika më e madhe ishte në rast se ajo do infektohej dhe çfarë do të ndodhte me foshnjën.

Pavarësisht pandemisë, kontrollet mjekësore gjatë muajve të shtatzënës janë të domosdoshme, por Ramadani deklaron se gjithmonë ka respektuar masat që u panë si mundësi mbrojtëse nga koronavirusi.

“Nga natyra ishte një lindje me komplikime e dija nga fillimi, mirëpo gjithçka ka shkuar procesin e rregull. Momentin kur e kam kuptuar se jam shtatzënë dilema e parë ka qenë se si do ia dal gjatë kësaj periudhe të pandemisë dhe gjithë kam menduar se nëse infektohem çka do i ndodh bebes. Se secila nënë më shumë brengoset për fëmijët e vetë sesa për vete. Kur je shtatzënë janë disa gjëra që nuk mund t’i bësh sikurse i bënë në përditshmëri dhe nuk mund të përdorësh terapi e antibiotikë dhe çka duhet. Duhet me pas një dietë më strikte dhe kam menduar se nëse më infektohem me COVID-i çka ka me i shkaktuar bebes dhe si do ja dal, ndoshta më duhet ta lë fëmijën, nuk e di a mundem të përkujdesem”, shtoi Ramadani.

Njëjtë si në klinikat e tjera, edhe ajo e Gjinekologjisë në QKUK mori masat e para me shfaqjen e rasteve me COVID-19. Me qëllim që mos të shpërthente pandemia në të gjitha repartet, drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Jakup Ismajli tha se ngritën një repart ku janë trajtuar shtatzënat e infektuara.

Nga marsi deri në dhjetor 91 shtatzëna të cilat ishin prekur nga virusi morën shërbime mjekësore në këtë klinikë. Ismajli ka thënë se pas lindjes, foshnjave iu është marrë testi për COVID-19, ku të gjithë kanë rezultuar negativë.

“Me përhapjen e pandemisë në klinikën tonë duke e ditur që kjo sëmundje nuk do na kursente as neve dhe as shtatzënat kemi hapur një repart i cili ka shërbyer për përfundimin e lindjeve, qoftë lindje normale dhe me prerje cezariane. Në atë repart i kemi pasur 91 paciente të hospitalizuara, prej tyre kanë lindur 43 paciente, kurse pjesa tjetër e kësaj shifre kanë qenë shtatzëna që janë trajtuar dhe janë liruar për në shtëpi. Të gjitha lindjet të cilat janë kryer në këtë repart në klinikën tonë janë transferuar në Klinikën e Neonatologjisë ku është bërë testi dhe të gjithë kanë rezultuar negativë, nuk është bartur sëmundja nga nëna tek fëmijët”, theksoi ai.

Nga koronavirusi u prekën edhe 18 klinicistë dhe 64 infermierëve të Klinikës Gjinekologjike.

Infermierja e repartit të lehonave, Fitore Gashi me koronavirus u infektua në atë që tashmë gjerësisht njihet si vala e dytë e pandemisë. Ajo thotë nga virusi u prek pas kontaktit që kishte me një paciente të infektuar.

“Jemi të rrezikuar tërë kohën të rrezikuar për arsye se nuk mund të mbajmë distancë në momentin kur pacienti kërkon ndihmë kontakti i drejtpërdrejte me të, shoqërimi deri në banjo, ndihmesa rreth gjirit, ka kërkesa të pacientëve dhe nuk kemi mundësi. Jemi munduar me maska me sa e di unë nga një paciente këtu jam infektuar dhe kam marrë trajtim mjekësor. (Tash jam) relativisht e mirë, jam nën kujdesin e pulmologut ende, por po vazhdojmë prapë (të punojmë)”, tha ajo.

Viti 2020 ka shënuar rënie të lindjeve në Klinikën e Gjinekologjisë pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Nga janari e deri në mesin e muajit dhjetor në këtë klinikë kanë lindur mbi 8 mijë e 400 fëmijë. Por kjo shifër është më e ulët krahasuar me numrin e lindjeve në vitin 2019.

Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Jakup Ismajli e arsyeton uljen e foshnjave të lindura pranë kësaj klinike duke thënë se për shkak të pandemisë edhe shumë nëna kanë zgjedhur të lindin nëpër spitale private.

“Numri i përgjithshëm i lindjeve deri në gjysmën e dhjetorit është 8465 lindje, edhe pse ka qenë vit i rëndë dhe me sfida, një vit me pandemi dhe një vit i cili e ka sfiduar tërë globin megjithatë lindjet janë procese fiziologjike të cilat nuk ndalen dhe jemi ballafaquar edhe me këtë sfidë. […]Ky numër është pak më i vogël në krahasim me vitet e kaluara ,por duke pasur parasysh që gjatë kohës së pandemisë një numër i pacientëve të cilët kanë qenë në kushte më të mira të cilët kanë menduar për shkak të tollovisë e kanë përfunduar lindjen edhe në institucionet private. Mirëpo, është një rënie në krahasim me vitin e kaluar[…]Në vitin 2019 i kemi pasur 9 mijë e 461 lindje”, u shpreh Jakupi./kp

Back to top button