Gjithçka që duhet të dini për lijën e ujit, infektologia jep detaje për RTV21

Sëmundja e Varicellës e njohur në popull me emrin lija e ujit është sëmundje infektive ngjitëse të cilën e shkakton Virusi i Varicella zoster (VVZ).
Simptomat e kësaj sëmundje janë ndryshimet në lëkurë që duken si vezikula të mbushura me lëng të kthjelltë, të cilat kruhen dhe shfaqen fillimisht në gjoks, shpinë, fytyrë, në kokë në pjesën me flokë dhe më pas mund të përhapen në gjithë trupin. Këto ndryshime mund të paraqiten edhe brenda gojës.
Për rtv21.tv ka dhënë detaje infektologia, Albina Ponosheci- Biçaku e cila ka theksuar se për 7 ditë këto vezikula shndërrohen në krusta dhe simptoma tjera që i paraprijnë këtyre ndryshimeve në lëkurë janë temperatura, lodhja, humbja e apetitit, kokëdhimbja, etj dhe quhen simptome të përgjithshme të sëmundjeve infektive.
Ponosheci- Biçaku ka bërë me dije se lija e ujit është një sëmundje shumë ngjitëse. Virusi përhapet shumë lehtë nga njerëzit me varicellë te të tjerët që nuk e kanë pasur kurrë këtë sëmundje ose nuk janë vaksinuar kurrë duke infektuar deri në 90% të këtyre njerëzve përmes kontaktit direkt, përmes ajrit dhe përmes spërklave të pështymës.
”Një person me varicellë konsiderohet ngjitës duke filluar 1 deri në 2 ditë para shfaqjes së skuqjes dhe ndryshimeve vezikuloze në lëkurë e derisa të gjitha lezionet në lëkurë të thahen të bëhen krustë (kore). Virusi varicella-zoster gjithashtu shkakton herpes zoster. Pas kalimit të sëmundjes së varicellës, virusi mbetet në trup (i fjetur). Virusi riaktivizohet (zgjohet) në rastet kur organizmi ka rënie të rëndë të imunitetit në përgjithësi ose nga ndonjë sëmundje e rëndë. Njerëzit me herpes zoster mund të përhapin virusin tek njerëzit që nuk kanë pasur kurrë varicellën dhe kjo mund të ndodhë nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë me lëngjet nga vezikulat e herpesit dhe në këtë rast tek pacientët e infektuar do të paraqitet sëmundja e varicellës e jo herpesi”, ka thënë infektologia.
Tutje kjo e fundit ka treguar se kjo sëmundje zgjat deri në 7 ditë, nëse paraqiten komplikime.
E nëse ndodhin komplikime ato nuk paraqiten te njerëzit e shëndetshëm. Njerëzit që mund të jenë në rrezik të lartë për komplikime përfshijnë: foshnjat, adoleshentët, të rriturit dhe gratë shtatzëna, përsonat me HIV/SIDA ose kancer, pacientët që kanë bërë transplante dhe njerëzit në kimioterapi, që përdorin medikamente imunosupresive ose përdorim afatgjatë të kortikosteroideve.
”Komplikimet serioze te varicella përfshijnë: infeksionet (superinfeksionet) bakteriale të lëkurës dhe indeve të buta tek fëmijët, infeksioni i mushkërive (pneumonia); infeksioni ose ënjtja e trurit (encefaliti, ataksia cerebelare); probleme me gjakderdhjen (komplikime hemorragjike); infeksionet e gjakut (sepsa)”, ka thënë Ponosheci- Biçaku.
Diagnostifikimi i kësaj sëmundje është klinik për shkak të ndryshimeve tipike karakteristike në lëkurë, të formës vezikuloze e mbushur me lëng të kthjelltë dhe formës së paraqitjes dhe përhapjes së tyre nëpër trup. Anketa epidemiologjike kur tregohet se edhe fëmijë të tjerë në shkollë ose kopshte kanë shenja dhe simptome të njëjta po ashtu ndihmon diagnozën klinike.
Madje sipas infektologes, mënyra më e mirë për ta parandaluar varicellën është vaksinimi kundër varicellës dhe zakonisht të gjithë duke përfshirë fëmijët, adoleshentët dhe të rriturit nëse nuk kanë pasur kurrë varicellën duhet të marrin dy doza të vaksinës kundër varicellës.
”Vaksina është shumë e sigurt dhe efektive në parandalimin e sëmundjes. Shumica e njerëzve që marrin vaksinën nuk do të preken nga varicella, por edhe nëse sëmuren simptomat janë zakonisht më të lehta me më pak ose aspak vezikula (mund të kenë vetëm njolla të kuqe) dhe temperaturë të lehtë ose pa temperaturë. Vaksina nuk është në kalendarin e rregullt obligativ të vaksinimit dhe në Kosovë nuk administrohet kjo vaksinë”, ka thënë Ponosheci- Biçaku.
Trajtimi i lijës së ujit sipas infektologes përfshin kryesisht terapinë simptomatike mbështetëse me paracetamol për të ulur temperaturën dhe me pastë neutrale për ti lyer ndryshimet në lëkurë që të përthahen më shpejtë. Duhet prerë thonjët dhe t’i ruajmë mos ti kruajmë ndryshimet në lëkurë dhe ti mbajmë rrobat e pastra. Në rast se paraqiten komplikimet atëherë duhet të jepen edhe antiviral, imunoglobuline dhe antibiotikë kur kemi infeksion dytësor bakterial./21Media

Back to top button