Gjobat për shkeljen e masave antiCOVID, gastronomët: Marre ju qoftë!

 

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës sonte ka reaguar pas kontrolleve të fundit të Policisë së Kosovës në lokalet e sektorit të gastronomisë, ku janë shqiptuar gjoba ndaj të gjithë atyre që janë gjetur se po shkelin masat kundër përhapjes së pandemisë COVID-19.

Gastronomët përmes një shkrimi janë ankuar për raste të shumta të shqiptimit të gjobave të padrejta ndaj lokaleve, duke përkujtuar se lejimi për funksionimin e bizneseve është përcaktuar deri në orën 22:00.

“Aksionet e fundit të policisë që po i shohim duke ndodhur nëpër lokalet e gastronomisë, shpërfaqin një dhunë nga aparati i shtetit, si një “njoftim” për qytetarët kinse nuk po respektohen rregullat antiCOVID nga gastronomët, pas atyre fushatave të bujshme të strukturave politike, janë për të ardhur keq! Rasti i fundit që ka shqetësuar jashtë mase komunitetin tonë është i kësaj të hëne, pranë një lokali, në të cilin u terrorizuan i gjithë stafi, që po i shihnin kolegët e tyre, pronarin dhe kuzhinierin në njërën anë, dhe familjarët në anën tjetër që po qëndronin pranë të shokuar nga ato skena jashtëzakonisht të rënda. Ju bëjmë thirrje organeve të drejtësisë që të veprojnë menjëherë duke zbatuar ligjin ndaj të gjithë zyrtarëve që po zbatojnë dhunë të tmerrshme, dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi, pa asnjë të drejtë për bizneset e gastronomisë, më të goditurat nga kjo pandemi dhe nga ky shtet. Marre ju qoftë”, është shkruar në postim.

Ndryshe, më 5 mars, inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV) dhe Policia e Kosovës kanë dalur në terren në rajonin e Prishtinës për të inspektuar zbatimin e masave antiCOVID-19 dhe për të ndaluar grumbullimin nëpër lokale të organizuara për festat e marsit.

AUV ka konfirmuar se kanë shqiptuar masa ndëshkimore dhe kanë zbrazur lokalet që kishin shkelur rregullat dhe se gjobat kanë qenë kryesisht për mos mbajtje të distancës sociale dhe mbajtjes së organizimeve (muzikë live), si dhe numër më të madh të personave se sa që lejohet.

Back to top button