Gjykata e Apelit ktheu në rigjykim çështjen penale kundër të akuzuarit H.Ç.
Gjykata e Apelit të Kosovës sot informoi se Departamenti Special i kësaj Gjykate ka vendosur lidhur më ankesat në çështjen penale kundër të akuzuarit H. Ç. Me aprovimin e ankesës së avokatit mbrojtës, siç informoi Gjykata, të akuzuarit dhe sipas detyrës zyrtare, aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 02.12.2019, është anuluar dhe lënda i është kthyer gjykatës së njëjtë në rigjykim.
Gjykata e Apelit, bëri të ditur se gjeti se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se gjendja faktike nuk është vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë, në raport me veprën penale për të cilën i akuzuari është shpallur fajtor dhe gjykuar.
“H.Ç. ishte shpallur fajtor nga ana e gjykatës së shkallës së parë, për shkak të veprës penale, “Mashtrimi” nga neni 335 par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës(KPRK), për çka ishte dënuar me dënimin me gjobë në shumë prej 3.000 euro dhe dënim më burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh. Atij po ashtu i ishte ndaluar ushtrimi i profesionit të avokatit në kohëzgjatje prej 1 viti, duke iu llogaritur nga dita kur vendimit ta marrë formën e prerë.”, bëri të ditur Gjykata përmes komunikatës./21Media