Gjykata ia vazhdon edhe për dy muaj paraburgimin Nagip Krasniqit

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që kryeshefit të pezulluar të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqit t’i vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, me datë 19.05.2023 ka vazhduar masën e paraburgimit për të pandehurin N.K, në kohëzgjatje edhe për dy muaj. Pala ka të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit”, ka thanë ajo në një përgjigje me shkrim për kp.

Më 19 prill, Prokuroria Speciale ka arrestuar kryeshefin ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi. Krasniqi sipas Prokurorisë, është arrestuar për shkak të dyshimit se ka kryer “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”. Një ditë pas arrestimit, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për Nagip Krasniqin.

Ndërkohë, më 25 prill Bordi i kompanisë publike të KEK-ut, ka pezulluar nga detyra e kryeshefit Nagip Krasniqin.

Back to top button