Gjykata: Naim Murseli e kishte pajisur me armë Granit Plavën dhe i kishte premtuar 30 mijë euro

Nga një muaj paraburgim iu është caktuar tre të dyshuarve, Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kreshnik Kokallës, për vrasjen e Liridona Ademajt.

Lidhur me ngjarjen tragjike detaje ka dhënë Gjykata Themelore e Prishtinës.

Në njoftimin e kësaj gjykate thuhet se i dyshuari Naim Murseli, me dashje në mënyrë dinake e ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij.

Sipas arsyetimit të masës së paraburgimit, rasti i vrasjes së Liridona Ademajt, ishte i inskenuar.

Në arsyetim thuhet se Naim Murseli, e kishte pajisur me armë Granit Plavën, e po ashtu për kryerjen e veprës i kishte premtuar atij një shumë të hollash në vlerë prej 30 mijë eurosh.

“Ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”, thuhet në arsyetimin e gjykatës.

Back to top button