Gjykata në Prishtinë anuloi të gjitha seancat, shkak pagat

Gjykata Themelore e Prishtinës, ka anuluar të gjitha seancat gjyqësore të parapara për ditën e premte, duke bazuar në vendimin e Këshillit Gjyqësorë të Kosovës (KGJK), për të reduktuar punën në shenjë pakënaqësie pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, ku parashihet ulja e pagave për punonjësit në sistemin e drejtësisë.
Këtë e ka bërë të ditur për portalin rtv21.tv, zëdhënësja në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.
Sipas Gashit janë mbajtur të gjitha seancat e natyrës urgjente të përcaktuara në bazë të listës së shërbimeve esenciale nga KGJK.
“Nuk kemi arritur të sigurojmë numrin e saktë të seancave të parapara për datë 25 nëntor 2022, mirëpo ju informojmë se në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë shtyrë të gjitha seancat e caktuara për ditën e sotme bazuar në vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës me numër KGJK.nr.445/22 të datës 24 nëntor 2022, ndërsa janë mbajtur gjitha seancat e natyrës urgjente, të përcaktuara në bazë të listës së shërbimeve esenciale nga KGJK”, ka thënë Gashi.
Të enjten, në mbledhjen e 299-të të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) ka miratuar lista e shërbimeve esenciale derisa Qeveria ta shfuqizojë vendimin që ua përgjysmon pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të anulojë vendimi, me të cilin iu ulen pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve. Zogaj kishte paralajmëruar se kanë marrë vendim, me të cilin puna e gjykatave reduktohet dhe do të punohet vetëm me shërbime esenciale.
Po ashtu, edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka marrë vendim me të cilin reduktohet puna e Prokurorive dhe punohet vetëm me staf esencial.
Një ditë më parë në Gjykatën Themelore të Prishtinës ishin shtyer 150 seanca gjyqësore./21Media

Back to top button