Gjykata Speciale për RTV21 tregon pse iu vazhdua paraburgimi Veselit

Ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i është vazhduar paraburgimi me vendim nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Speciale, Nicolas Guillou. Këtë për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar Gjykata Speciale në Hagë.
Veselit i është vazhduar paraburgimi pasi ende ekziston rreziku që ai të arratiset, dhe rreziku se do pengojë procedurën në gjykatë. Po ashtu, sipas Speciales ekziston rreziku se mund të kryejë krime të tjera.
“Po, më 26 shtator Gjykatësi i Procedurës Paraprake urdhëroi vazhdimin e paraburgimit për z. Veseli. Gjykatësi arriti në përfundimin se rreziqet që i akuzuari mund të arratiset, të pengojë ecurinë e procedurave apo të kryejë krime të tjera vazhdojnë të ekzistojnë dhe se nuk ka asnjë masë tjetër përveç mbajtjes së tij në paraburgim që do t’i pakësonte mjaftueshëm këto rreziqe”, thuhet në përgjigjen e Speciales për rtv21.tv.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000./21Media

Back to top button