Gjykata Supreme e Kosovës e ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e organizatës “GERMIN”, të ushtruar ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa – PZAP me të cilin vërtetohej vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për verifikimin e votuesve nga diaspora përmes thirrjeve telefonike.

Pa u lëshuar në çështjet meritore, Gjykata Supreme ka vlerësuar se ankesa e ushtruar nga organizata “GERMIN”, është e palejuar dhe rrjedhimisht ka konfirmuar vendimin e PZAP-së.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më datë 11 janar 2021 nxorri vendimin sipas të cilit përcaktohet se “Nëse aplikuesi nuk lajmërohet në telefon, atëherë aplikacioni i tij refuzohet”, duke ju referuar procedurave për verifikim të votuesve jashtë Kosovës.

Ndaj këtij vendimi më datë 12 janar 2021 Organizata Joqeveritare “Germin”, dhe Lëvizja Vetëvendosje ushtruan ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ndërsa PZAP me vendimin e datës 13 janar 2021 refuzoi ankesat duke vlerësuar se ankesa e ushtruar është e pabazuar dhe se ankesë mund të ushtrohet vetëm në rastet e para shprehimisht me ligj.

Ndaj vendimit të PZAP-së, Organizata “GERMIN”, ushtroi ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës e cila me vendimin e datës 18 janar 2021 e cilësoi si të palejuar ankesën./kallxo