Gjykimi ndaj Salih Mustafës, dëgjimi i dëshmitares së ZPS-së në seancë të mbyllur

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka përfunduar për këtë javë seanca gjyqësore ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa. Për ditën e dytë me radhë është dëgjuar dëshmitarja e mbrojtur e Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS), por seanca ka vijuar e mbyllur për publikun. Gjyqi ndaj Mustafës do të vazhdojë të hënën me dëgjimin e dëshmitarit të tetë të ZPS-së.
Dëshmitarja e cila mban kodin Ë04676, është përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues, të kryesuar nga gjyqtarja Mappie Veldt-Foglia.
Para kësaj, në fillim të seancës, mbrojtja e Mustafës, avokati Julius Von Bone ka ngritur një çështje por gjithashtu diskutimi ka qenë i mbyllur për publikun.
Ndërsa gjatë dëshmisë që e ka dhënë dje, dëshmitarja e ZPS-së ka folur për praninë e saj në mal të fshatit Zllash ku sipas saj, është bërë zhvarrimi i një personi.
Ajo ka thënë se aty ka shkuar së bashku me babain e viktimës por të pranishëm sipas saj kanë qenë edhe persona të tjerë.
Sipas dëshmitares, aty ka pasur edhe një tjetër person të varrosur por ka thënë se varrin tjetër nuk e kanë prekur meqë nuk kanë pasur njohuri se trupi i kujt është aty.
Pjesa më e madhe e dëshmisë së saj, edhe gjatë ditës së djeshme, ka vijuar e mbyllur për publikun dhe nuk është bërë i ditur roli i saj në ngjarjen për të cilën thotë se ka qenë e pranishme.
Me pyetjet e trupit gjykues ka përfunduar dëgjimi i kësaj dëshmitare ndërsa dëshmitari i tetë mban kodin Ë04391 dhe pritet të dëgjohet të hënën me datë 22 nëntor.
Në gjykimin ndaj Mustafës deri tani kanë përfunduar dëshminë e tyre gjashtë dëshmitarë, të gjithë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.
Gjykimi ka filluar më 15 shtator 2021 dhe është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.
Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020, ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.
Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë, ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

Back to top button