Glauk Konjufca zgjedhet Kryetar i Kuvendit

Konjufca mori shumicën e votave

Glauk Konjufca nga Vetëvendosje u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës. Ai sot mori 75 vota për, 29 kundër dhe 6 abstenime.

Konjufca u zgjodh pa një marrëveshje paraprake me partnerin potencial qeverisës, LDK-në, por që Lideri i LDK-së, Isa Mustafa sot u shpreh se do ta votojnë propozimin e Vetëvendosjes për Kryetar të Kuvendit për të mos bllokuar formimin e institucioneve.

Biografia e kryeparlamentarit të ri

Glauk Konjufca është lindur në korrik të vitit 1981, në Prishtinë. Ai ka përfunduar studimet e Filozofisë në Fakultetin Filozofik, në Universitetin e Prishtinës.

Është aktivizuar në Lëvizjen VETËVENDOSJE! që në fillimet e saj. Është studiues i filozofisë dhe ndërmjet shumë shkrimeve në këtë fushë, i cili ka botuar librin “Huti i minervës fluturon në muzg G.W.F. Hegel”. Në vitin 2010 ishte zgjedhur deputet i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në legjislaturën e IV-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në vitin 2011-2014 ishte nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në vitin 2014 ishte zgjedhur sërish deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në të njëjtin vit ishte zgjedhur nënkryetar i kuvendit deri me 12 mars të vitit 2015. Në korrik të vitit 2014 ai ishte zgjedhur kryetar i Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Në legjislaturën e V-të ishte zv. Kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukrurë, Tregti dhe Industri në Kuvendin e Kosovës. Në legjislaturën e fundit ai ishte zgjedhur kryetar i Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dhe ishte anëtar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik dhe Komisionit për Punë të Jashtme.

Glauk Konjufca shtë i martuar dhe ka dy fëmijë./21Media

Back to top button