​Gruda: Ministrja e Drejtësisë nuk do të duhej të kishte frikë nga Kushtetuesja

Përparim Gruda, koordinator për drejtësi në PDK iu ka përgjigjur Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut lidhur me reagimin e saj ndaj dërgimit të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë në Gjykatën Kushtetuese.
“Ministrja e Drejtësisë nuk mund të largoj vëmendjen nga skandali i zhdukjes së mostrave të rastit Dehari duke sulmuar PDK-në pse ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Byronë. Në çdo demokraci normale, një Ministre e Drejtësisë do të duhej të mos kishte frikë nga Gjykata Kushtetuese, por ta mirëpriste vendimin e saj. Kosova duhet të ndahet njëherë e mirë nga logjika e gazit lotsjellës dhe e dhunës në institucione, dhe të kthehet të logjika, parimet dhe vlerat e Kushtetutës, të cilën ne do ta mbrojmë çdo ditë”, ka shkruar Gruda në Facebook.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu reagoi pasi Partia Demokratike e Kosovës ka dërguar në Kushtetuese,  Ligjin për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Haxhiu tha se një gjë e tillë ka për qëllim zhagitjen e reformave.
“Mund të luftohen e sabotohen, por reformat që kemi nisur në shumë drejtime pëbrenda sistemit të drejtësisë tashmë kanë marrë drejtimin e duhur dhe nuk mund t’i ndalojë askush, aq më shumë ata që janë përgjegjës për shkatërrimin e institucioneve. Byroja do të bëhet. Drejtësia do të triumfojë”, deklaroi ministrja Haxhiu./21Media

Back to top button