Gucati e Haradinaj mund t’i drejtohen edhe Kushtetuese

Dhomat e Specializuara i shpallën fajtorë sot Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn, duke i dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me një gjobë prej 100 euro.
Medina Kadriu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha për rtv21.tv se ky proces është mirë të sqarohet për publikun se nuk lidhet me akuza për krime lufte, por kryesisht për pengim në administrimin e drejtësisë. Ligji për Dhomat e Specializuara, tha tutje Kadriu, përveç hetimit, ndjekjes dhe gjykimit të krimeve të luftës ka paraparë edhe ndjekjen dhe gjykimin e rasteve kur shtetas të Kosovës me veprime apo mos veprime pengojnë punën e gjykatës.
Kadriu theksoi se aktgjykimi dënues i shpallur gjatë ditës së sotme nuk është përfundimtar dhe nuk ka të bëj me krime lufte, por me vepra penale që ndërlidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë. Ky aktgjykim është i shkallës së parë dhe brenda 30 ditësh nga dalja e aktgjykimit, palët mund të bëjnë njoftim se do të atakojnë këtë vendim të shqiptuar, ku në njoftim parashtrohen dhe arsyet e apelimit të tij.
Sipas Kadriut, brenda 21 ditësh, nga njoftimi për apel, dhe kur çmohet e nevojshme pas kësaj, kryesuesi i panelit ose gjykatësi raportues nëse është caktuar, thërret një konferencë për t’i mundësuar çdo personi të paraburgosur në pritje të apelit të ngrejë çështje lidhur me apelin, përfshirë edhe lidhur me gjendjen mendore dhe fizike të personit.
“Pala që e apelon vendimin paraqet dosjen e apelit ku parashtron të gjitha argumentet dhe burimet ligjore në mbështetje të arsyeve për apel brenda 60 ditësh ose nëse apeli lidhet vetëm me dënimin, brenda 30 ditësh nga njoftimi për apel. Pas kësaj, rrjedhin dhe afatet tjera kohore sa i përket kthimit të përgjigjeve lidhur me pretendimet që pala tjetër i paraqet. Pas përfundimit të afateve kohore për paraqitjen e dosjeve, ndërkaq paneli i Gjykatës së Apelit mund të caktojë datën e seancës së apelit, nëse është e nevojshme, ndërkaq aktgjykimi i apelit shqiptohet brenda 60 ditësh nga parashtrimi i fundit prej palëve. Nëse palët janë të pakënaqur me vendimin e Gjykatës së Apelit, ata kanë në dispozicion mjetet e jashtëzakonshme juridike, të cilat i parashtrojnë në Gjykatën Supreme”, tha Kadriu për rtv21.tv
Tutje, ajo theksoi se po ashtu palët mund t’i drejtohen dhe Dhomës Kushtetuese në rast se pretendojnë se të njëjtëve iu kanë shkelur të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe instrumente të ndryshme ndërkombëtare.
Në fund, Kadriu nga IKD theksoi se paneli i Gjykatës së Apelit mund t’i lërë në fuqi, prapësojë, ose ndryshojë aktgjykimet e trupit gjykues. Po ashtu, sipas saj, paneli i Gjykatës së Apelit mund të urdhërojë që personi i shpallur i pafajshëm ose fajtor, të rigjykohet nga trupi gjykues.
Dhomat e Specializuara i shpallën fajtorë sot Gucatin dhe Haradinajn për pengim të administrimit të drejtësisë, duke i dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe gjobë prej 100 euro. Në dënim, ish-krerëve të OVL-së së UÇK-së do t’u llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Ata gjenden në paraburgim prej shtatorit të vitit 2020./21Media

Back to top button