Guerot: Heqja e stikersave lehtëson jetën e qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë

Ambasadori i Francës në Prishtinë, Olivier Guerot, ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e letrës me ngjitës për targat e automjeteve që vijnë nga Serbia në Kosovë.

Në një postim në rrjetin X, diplomati francez ka shkruar se heqja e stikersave do t’ua lehtësojë jetën qytetarëve.

“Nuk ka më nevojë për letër ngjitëse në targat e automjeteve të Kosovës dhe Serbisë. Një mënyrë e mirë për të filluar vitin, duke ua lehtësuar jetën qytetarëve të të dy vendeve. Një shembull i mirë për zbatimin e marrëveshjeve të tjera”, shkroi ai.

Ndryshe, kryeministri Albin Kurti tha se vendimi i mbrëmshëm për heqjen e regjimit të letrës ngjitëse për automjetet me targa serbe ka ardhur pasi Policia e Kosovës raportoi se vendimi i Serbisë për të lejuar targat RKS – Republika e Kosovës – të lëvizin lirshëm në territorin e këtij shteti, po zbatohet plotësisht.

Kurti ka paralajmëruar se nëse do të ketë ndryshim të qasjes nga autoritetet serbe, shteti i Kosovës do të veprojë.

Serbia vendosi t’i lejojë automjetet me targa RKS të lëvizin lirshëm në territorin e saj nga fillimi i kësaj jave.

Back to top button