Hahn dhe Pribe takohen në Shkup për prioritetet reformuese urgjente

Han gjatë vizitës në Shkup të takohet me kryetarin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev

Eurokomisari për politikë evropiane të fqinjësisë dhe negociata për zgjerim, Johanes Han, nesër do ta vizitojë Republikën e Maqedonisë në biseda rreth planeve për reforma të Qeverisë së re të Maqedonisë, si dhe ta përsëris përkrahjen e Bashkimit Evropian për vendin që t’i zbatojë reformat e domosdoshme që në të ardhmen të bëhet anëtare e Unionit.

Është paraparë që Han gjatë vizitës në Shkup të takohet me kryetarin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev. Do të mbahet edhe takim i delegacionit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, të kryesuar nga kryeministri Zaev në përbërje të të cilit do të jenë edhe zëvendëskryeministrja dhe ministre e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska, zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani dhe ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov me delegacionin e Bashkimit Evropian të kryesuar nga komisari evropian Han.

Pas takimeve do të mbahet seancë tematike e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë kushtuar prioriteteve reformuese urgjente për integrimet euroatlantike ku do të marrë pjesë edhe komisari evropian Han.

Pas përfundimit të seancës tematike të Qeverisë do të mbahet pres konferencë e kryeministrit Zaev dhe komisarit Han.

Në deklaratën e dhënë gjatë ardhjes së tij në Maqedoni, Han potencoi se e viziton Maqedoninë që të nxisë zbatimin e reformave që Brukseli pret të zbatohen në afat të shpejtë, e me qëllim që të kthehet në rrugën e integrimit evropian.

“Me përkrahjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian, vendi më në fund e tejkaloi krizën politike përmes zgjedhjeve të administruara mirë dhe formimit të qeverisë së re. Tani, Qeveria e re, së basku me opozitën, duhet të përqendrohet në zbatimin e Prioriteteve urgjente reformuese dhe në zbatimin e tërësishëm të marrëveshjes së Përzhinës, me qëllim që të kthehet vendi në rrugën drejt integrimit në BE. Reformat duhet të bëhen që të përmirësohen jetët e njerëzve, të punohet për stabilitet, prosperitet dhe drejtësi. Grupi i obliguar i ekspertëve të lartë të pavarur për sundimin e së drejtës, i udhëhequr nga Rajnhard Pribe është veçmë në vend që t’i ndihmojë dhe ta këshillojë Qeverinë e re për çështje të sundimit sistematik të së drejtës”, deklaroi komisari Han para ardhjes së tij në Maqedoni.

Në ndërkohë, Qeveria e Maqedonisë është duke përgatitur Plan veprues me masa dhe aktivitete të cilat duhet të ndërmerren në kontekst të eurointegrimeve, të cilat do t’i prezentohen eurokomisarit Johanes Han gjatë vizitës së tij në Shkup. Në Maqedoni tashmë është duke qëndruar edhe eksperti gjerman, ish-drejtor i Drejtorisë për zgjerimin e BE-së, Rajnhard Pribe, i cili ditëve në vijim do të ketë takim me përfaqësues qeveritarë për Prioritetet reformuese urgjente, si dhe për planin veprues të Qeverisë për zbatimin e tyre./21Media

Back to top button