Hamza kritikon ministrin Vitia: Disa ministra janë lazdruar, kanë nevojë për disiplinë

 
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka kritikuar ministrat e kabinetit qeveritar për mungesën e tyre në seancat e Kuvendit të Kosovës.
I pakënaqur me mungesën e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia për të dhënë sqarime shtesë në seancën plenare ku po diskutohet për Projektligjin për amendamentimin e Marrëveshjes bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e bashkëpunimit për zhvillim ‘KSV/017: Programi për mbështetje shëndetësore (pjesa II)’, Hamza i quajti “të lazdruar” disa nga ministrat e kabinetit qeveritar.
Ai theksoi se si opozitë duan të dinë për çka dhe si do të përdoret marrëveshja në fjalë.
“Për marrëveshjen aktuale po kërkojmë sqarime për çka dhe qysh do të përdoret[…]Unë po shoh këtu do ministra kanë nevojë kapak me i disiplinu, me pas dikush me i disiplinu, me e ditë që e kanë në përshkrim të vendit të punës me qenë serioz. Nuk po i referohem në këtë rast ministrit të Financave, por do tjerëve të lazdruar që nuk e dinë nivelin e peshës se çka është institucioni i ministrit. Prandaj, derisa sillen me këtë injorancë, me këtë mosdije, me këtë papërgjegjshmëri, është bukur vështirë me u arrit konsensus edhe për çështje të rëndësishme”, tha ai.

Back to top button