Han: Rrezikohet rekomandimi nëse përsëritet dhuna

Han ka thënë se sulmi në Kuvendin e Maqedonisë nuk ka pasoja

Komisioneri evropian për zgjerim Johanes Han vlerëson se sulmi në Kuvendin e Maqedonisë nuk do të ketë pasoja ndaj mundësisë për nisjen e negociatave me BE-në, por me kushtin që të mos përsëritet më.

“Nuk kam pritur një sulm të tillë ndaj Kuvendit, por fatkeqësisht gjërat ndonjëherë shkojnë mbrapsht. Por nëse krijohet përshtypje se vendi automatikisht do të hiqet nga procesi i afrimit, përgjigja është jo. Në Kuvend u sulmuan ata të cilët angazhohen për procesin evropian. Do të ishte e padrejtë nëse themi se me këtë ka përfunduar perspektiva e anëtarësimit. Përkundrazi shpresoj se zhvillimet do të jenë alarm për zgjim. Nëse përsëriten, atëherë rrezikohet perspektiva evropiane”, është shprehur Han në intervistën për të përditshmen austriake “Standard”.

Në pyetjen nëse janë të mundura sanksionet ndaj Maqedonisë, Han ka theksuar se me vite ekziston rekomandim i qartë i KE-së se duhet të nisin bisedimet, shkruan TV21.TV

“Që para dy vitesh kemi bërë përpjekje të shumta që ta kthejmë vendin në rrugën evropiane. Kjo funksionoi me zgjedhjet por jo edhe me formimin e Qeverisë, e cila u bllokua pasi shumica e re parlamentare nuk pranohet nga partia që ka qëndruar shumë vite në pushtet. Por demokracia nënkupton edhe ndryshime: nëse procesi demokratik edhe më tej pengohet, ne nuk mund ta mbajmë premtimin për nisjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE”, është shprehur Han në intervistën për gazetën austriake./21Media

Back to top button