Hapja e negociatave me BE, Holanda jep dritë jeshile për Shqipërinë

 
Parlamenti i Holandës ka marrë një vendim pozitiv për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në, ndërsa kjo dritë jeshile u hap vetëm pas zgjedhjeve në Holandë, ku kryeministër u zgjedh Mark Rutte.
Vendimi është përcaktuar sot në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm në parlamentin holandez, ndërkohë që nesër pritet të konfirmohet nga seanca plenare.
Ministrja e re e Jashtme holandeze, Singrid Kaag ka vlerësuar progresin e Shqipërisë, duke nënvizuar se ky shtet ballkanik së fundmi ka bërë përparim me reformat në temat prioritare dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Qeveria e Holandës është dakord që konferenca e parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian të mbahet sa më shpejt.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, zhvilloi një takim në Bruksel me Ministren holandeze për Tregtinë e Jashtme dhe Bashkëpunimin për Zhvillim, Singrid Kaag. Kryediplomatja shqiptare vlerësoi mbështetjen e Holandës në mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe BE.
“Shpresojmë që Parlamenti Holandez të mbështesë qëndrimin e Qeverisë’. Të sigurt se në një të ardhme të afërt ne do të punojmë së bashku për të zgjeruar marrëdhëniet midis vendeve tona”, tha ministrja Xhaçka, e cila ndodhet në Bruksel si pjesë e delegacionit shqiptar në samitin e NATO-s, drejtuar nga kryeministri Edi Rama.
Qeveria holandeze para disa ditësh shprehu mbështetje për hapjen e negociatave të BE-së me Shqipërinë duke theksuar se vendi së fundmi ka bërë përparim me reformat për luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, si dhe në fusha të tjera, por duhej edhe vendimi i opozitës holandeze që të hapej rruga për në BE.
Pas këtij qëndrimit pozitiv të Holandës dhe deklaratave të kryediplomatëve të vendeve si Gjermania, Austria apo Italia ka shpresa që Shqipërisë do t’i hapet rruga në mbledhjen e 22 qershorit të Këshillit Evropian që do të pasojë Konferencën Ndërqeveritare.

Back to top button