Haradinaj: Durimi ka kufi, mjaft!

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka reaguar pas lajmit për ngritjen e çmimit të tatimit në pronë duke e cilësuar si goditje ndaj financave të qytetarëve.
Përmes një reagimi në “Facebook”, Haradinaj ka thënë se jetesa e qytetarëve është vështirësuar nga rritja e çmimeve.
“Fatura e tatimit në pronë për vitin 2023 është shumëfishuar me një ndërhyrje të Ministrisë së Financave. Jetesa e qytetarëve është vështirësuar nga rritja e çmimeve. Përkundër këtyre fakteve të dukshme nuk kishte asnjë veprim nga Qeveria e Kosovës për frenuar inflacionin dhe për të lehtësuar jetën e qytetarve”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka thënë se ky veprim është edhe një goditje ndaj financave të qytetarëve.
“Ky veprim është edhe një goditje ndaj financave të qytetarëve. Me dhunë e përmes ligjit, financat e qytetarëve po barten nga xhepi i tyre në arkën e shtetit dhe në fund as nuk shpenzohet buxheti dhe as nuk mbështetet qytetari i Kosovës”, është shprehur ai.
Haradinaj ka thënë se durimi ka kufi.
“Mirë po e gënjen popullin. I mirë është edhe në veprime që janë në kundërshtim me premtimet dhe me Republikën e Kosovës. Por durimi ka kufi! Mjaft!”, ka përfunduar Haradinaj./21Media

Back to top button