Haradinaj e quan mashtrim ordiner rregullimin e pagave në sektorin publik
Presidenti i Kosovës do të ketë pagën më të lartë në vend, ndër funksionarët publikë, bazuar në draftin që ka përgatitur Ministria e Punëve të Brendshme, për Ligjin për pagat.
Edhe pse nuk është caktuar vlera e koeficientit, në këtë listë presidenti ka vlerën më të lartë të koeficientit, 20.
Kryetari i Kuvendit dhe kryeministri pasojnë listën me koeficient 19. Bashkë me ta është edhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese në vlerë të njëjtë.
Nënkryetari i Kuvendit, zëvendëskryeministri dhe zëvendëskryetari i Kushteuteses kanë koeficient 17, ndërsa deputeti, ministri e gjyqtari i Kushtetueses me koeficient 16.
Koeficienti në kohën e Qeverisë Haradinaj ishte 239 euro.
Tani kryetari i AAK-së ka reaguar përmes një postimi në llogarinë e “Facebook”, duke thënë se rritja e koeficientit dhe zvogëlimi i vlerës monetare të tij është mashtrim
“Rritja e koeficientit, e në anën tjetër zvogëlimi i vlerës monetare, është mashtrim ordiner. Është tepër me rëndësi që të rirregullohet Ligji i Pagave, por ky ligj nuk duhet të bjerë. Po shoh komente dhe qëndrime të ndryshme të sindikatave, të zyrtarëve institucionalë dhe të autoriteteve politike. Të gjithë në një apo në një mënyrë tjetër, po i japin qëndrimet për organizatën buxhetore që përfaqësojnë. Vlerësimet të cilat kanë qenë të evidentuara, janë të përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese. Ato duhet të rregullohen, ndërsa koeficienti dhe vlera e tij, jo vetëm se nuk duhet të zvogëlohen por ato duhet të rriten në përputhje me rritjen e çmimeve të konsumit”, ka shkruar Haradinaj.
Haradinja tutje ka thënë se në këtë Kosovë gjithçka “është rritur, përpos pagave që kanë mbetur në vendnumëro”!
I pari i AAK-së, Ramush Haradinaj i ka bërë thirrje qeverisë që të mos eksperimentojë me këtë ligj, sepse siç thotë ai “durimi ka kufi”.
“Pagat duhet të harmonizohen me shkallën e shtrenjtimit të jetesës e jo që punëtoria kosovare të shndërrohen në kategori sociale!”, ka shkruar tutje Haradinaj.
Ligji për Paga pritet të shkojë në Kuvend nga Qeveria në muajin mars./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?