Haradinaj: Gjermania po e vlerëson lartë angazhimin e Qeverisë sonë

Pas deklaratave të Maas-it

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas ka thënë dje se vendi i tij është i vendosur për të ndihmuar Kosovën dhe dëshiron një “perspektivë evropiane për Kosovën”. Më tej Maas është shprehur se “qeveria gjermane e konsideron të gabuar nëse BE dhe Gjermania heqin dorë nga mbështetja për Kosovën, duke përfshirë ndihmën financiare”.

Lidhur me këtë, kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj ka vlerësuar lartë deklaratat e Maas-it, duke thënë se ky është rikonfirmim se mbështetja e parezerve e Gjermanisë për Kosovën është rezultat i partneritetit të ngushtë me shtetin gjerman.

“Jam i lumtur që të ndajë me ju deklaratën mbështetëse që vjen nga Gjermania mike, për reformat e ndërmarra shtetërore. Në intervistën e dhënë për gazetën gjermane “Stuttgarder Nachrichten”, kushtuar Kosovës, ministri i jashtëm gjerman Heiko Maas e ka vlerësuar lartë angazhimin e Qeverisë së vendit tonë duke thënë se “Reformat të cilat janë kryer atje janë mbresëlënëse dhe kjo duhet të pranohet.”

Ky është edhe një rikonfirmim se mbështetja e parezervë e Gjermanisë për Kosovën është rezultat i partneritetit të ngushtë e të sinqertë me shtetin gjerman, si dhe është vendimtar për procesin e liberalizimit të vizave dhe rrugën europiane të Kosovës.”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Sipas gazetës, qeveria gjermane nga viti 2014 deri 2018, ka mbështetur Kosovën me një total prej 179.33 milionë euro, për zhvillimin e infrastrukturës, ekonomisë, reformën e sistemit gjyqësor, dhe luftën kundër krimit./21Media

Back to top button