Haradinaj i reagon Kurtit pas deklaratës për Amerikën: Është vënë në rrezik ekzistenca e shtetit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Kurti sipas të cilit ShBA-të nuk mund ta përfaqësojnë Kosovën.
Përmes një reagimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se ShBA nuk ka kërkuar asnjëherë një gjë të tillë.
“Cila është logjika e kryeministrit kur thotë se SHBA nuk mund ta përfaqësojnë Kosovën, kur nuk mbahet mend që Amerika ta ketë kërkuar një gjë të tillë! (Pse nuk i kishte shkuar ndërmend Albin Kurtit të thoshte në vitin 1999 se Amerika nuk mund ta çlirojë Kosovën)!”, është shprehur Haradinaj.
Sipas Haradinajt, kryeministri Kurti mundohet ta krijojë përshtypjen se ai mund të jetë viktimë e një “komploti ndërkombëtar”.
“Pse ai me çdo kusht kërkon që Amerikën ta bëjë pjesë të problemit kur ajo ishte dhe është pjesë e zgjidhjes. Pse Albin Kurti mundohet ta krijojë përshtypjen se ai mund të jetë viktimë e një “komploti ndërkombëtar”! Apo po provon që edhe njëherë ta luajë viktimën, si në vitin 2020!”.
“Detyrat dhe obligimet e një kryeministri janë të rënda, aq më tepër në rastin e Kosovës, dhe nëse nuk mund t’u bësh ballë sfidave që t’i nxjerr koha përpara, fajin nuk mund ta kërkosh diku tjetër, pos te vetja!”, ka shtuar ai.
Haradinaj ka thënë se ky vit nuk mund të vazhdojë me të njëjtat gabime.
“Kosova nuk e ka luksin të bëjë eksperimente duke u armiqësuar me partnerët strategjikë por duhet të shtrohet e të rinisë një fazë tjetër bashkëpunimi. Kjo dmth se Kryeministri duhet të bëjë kthesë për 180 shkallë sepse është në drejtimin e gabuar! Ky vit nuk mund të vazhdojë me të njëjtat gabime, sepse me këtë kurs është vënë në rrezik edhe vet ekzistenca e shtetit”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj beson në ato vende që me në krye ShBA-të i janë gjendur Kosovës.
“Une u besoj atyre vendeve, që në krye me Amerikën, na janë gjendur në kohë të vështira”, ka përfunduar Haradinaj.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në nëj intervistë për Zërin e Amerikës ka thënë se ai nuk mud ta përfaqësojë Amerikën por sipas tij as përfaqësuesit e Amerikës nuk mund ta përfaqësojnë Kosovën.
“Jemi vazhdimisht në kontakt e në komunikim dhe pothuajse gjithmonë pajtohemi, por jo gjithmonë, sepse unë nuk mund t’i përfaqësoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ambasadori amerikan dhe as sekretari i shtetit apo departamenti i shtetit nuk mund ta përfaqësojnë Kosovën. Ne udhëhiqemi nga idealet amerikane, mirëpo kjo është Kosovë dhe ne duhet ta mbrojmë shtetin tonë, popullin tonë, historinë tonë edhe më shumë sesa që e bën këtë kushdo tjetër. Pra, ne nuk mund të presim që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta mbrojnë Kosovën në diskurs edhe më shumë sesa vet ne, përkundrazi ne duhet që për Kosovën të kërkojmë edhe më shumë sesa kushdo tjetër, edhe më shumë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”, është deklaruar Kurti./21Media

Back to top button