Kurti theksoi nevojën për rritjen e bashkëpunimit mes institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe Britanisë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, theksoi nevojën për rritjen e bashkëpunimit mes institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe Britanisë së Madhe në luftimin e akterëve malinj që synojnë destabilitetin e Kosovës dhe rajonit.
Këtë ai e tha në takimin me Sekretarin e shtetit në hije për Çështjet e Jashtme, i Partisë Laburiste në Mbretërinë e Bashkuar, David Lammy.
Siç bëhet e ditur në një komunikatë për media nga Zyra e Kryeministrit në bashkëbisedim kujtuan zhvillimet e vitit 1999 dhe rolin vendimtar të Britanisë së Madhe në çlirimin e Kosovës nën drejtimin e laburistëve Tony Blair dhe Robin Cook.
“Në këtë takim, Kryeministri Kurti theksoi progresin në Kosovë, duke përmendur faktin që përkundër krizës botërore me pandeminë COVID-19 dhe krizën energjetike, ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje të konsiderueshme. Së bashku me përmirësimet në indekset e demokracisë dhe sundimin e ligjit që renditin Kosovën të parën në Ballkanin Perëndimor, Kosova është vend ideal për investime për kompanitë nga Britania e Madhe që kërkojnë near-shoring, theksoi Kryeministri.
Kryeministri Kurti veçoi mundësitë për rritjen e shkëmbimit tregtar mes Kosovës dhe Britanisë së Madhe, si dhe investimet në sektorin energjisë.”, thuhet në njoftim.
Po ashtu bëhet e ditur se Lammy ofroi bashkëpunimin e tij, ai theksoi nevojën e identifikimit sa më shumë fusha të bashkëpunimit dhe partneritetit në mes të dy vendeve, ashtu që Britania e Madhe të mund të ndihmojë sa më shumë Kosovën./21Media

Back to top button