Haradinaj: Ku i kishte mendtë Kurti

“Ku i kishin mendtë Kurti e VV-ja”, kështu e nis shkrimin e tij në Facebook kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ku flet për kirzen energjetike në vend.
Ai rendit edhe gjashtë pyetje të tjera, ndër tjerash thotë se kujt ia kishte borxh qytetari i Kosovës terrin pas 20 vjetësh.
“Ku i kishin mendtë Kurti e VV-ja kur e kundërshtonte me forcë investimin 1.2 miliardë dollarë për 500 megavatë energji, të çmimit deri në 86 euro për megavat, investim që do të hapte vende të punës dhe do ta kthente Kosovën në fuqi rajonale të energjisë? Ku i kishte mendtë Kurti e VV-ja kur e refuzuan investimin amerikan, 200 milionë dollarë falas, të aprovuara nga Presidenti Biden për gazsjellësin Shkup – Prishtinë? Ku i kishin mendtë Kurti e VV-ja gjatë verës që nuk u morën me KEK, KOSTT, KEDS e KESCO, për të rritur kapacitetin e prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë, por e pritën dimrin e ftohtë? Ku i ka sot mendtë Kurti e VV-ja, kur paguan deri në 620 euro për megavat nga tregjet e shteteve fqinje? Kujt ia kishte borxh qytetari i Kosovës terrin pas 20 vjetësh? A e kanë meritu ata që e votuan VV-në dhe Kurtin? A ia kishin borxh Kurtit terrin dhe të ftohtit? Për këtë dimër po e shohim, reduktime, terr, të ftohtë. Si do të jetë dimri i ardhshëm me këta njerëz e me këtë mendësi të tyre?”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Operatori i shpërndarjes së rrymës në vend, KEDS dje ka njoftuar se në Kosovë janë kthyer reduktimet e rrymës. Ky vendim ka ardhur për shkak të mbingarkesës së sistemit elektroenergjetik në vend ditëve të fundit.
Kufizimet do të jenë rreth dy orë dhe do të prekin të gjithë konsumatorët në kohë të ndryshme, përveç atyre emergjentë ka njoftuar KEDS-i./21Media

Back to top button