Haradinaj: Kurti arriti ta na dërgojë në prag të ndarjes së veriut nga Kosova

Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe një herësh lideri i AAK-së, adresoi një mori kritikash ndaj kryeministrit, Albin Kurti rreth situatës aktuale në Kosovë.
Ai fajësoi Kurtin për tensionimin e situatës duke thënë sesjellja e tij ka qenë e rrezikshme.
“Mospërfillja e kërkesës amerikane për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat, e ka sjellë situatën buzë shpërthimit. Kemi ardhë në një situatë që do të mund të rrezikonim jetët e qytetarëve të Kosovës por edhe të policëve.E gjithë kjo, për arsye krejt të paqëndrueshme, për ta kthyer situatën e para një muaji, ku kursi i gabuar që kishte zgjedhur Kryeministri, ka shkaktuar dëme të mëdha, duke asgjësuar një punë të jashtëzakonshme që ishte bërë gjatë gjithë këtyre viteve për integrimin e serbëve në institucionet ë vendit. “, shkroi Haradinaj në Facebook.
Tutje ai tha se po i frikësohet dështimit të Kosovës, dhe është i shqetësuar se Kosoba sipas tij është shndërruar në fajtor.
“E kuptoj sjelljen e plot kundërshtarëve politikë të Kryeministrit që i gëzohen fundosjes politike të tij, por unë jam i shqetësuar, jo për dështimin e Kryeministrit, por për dështimin e të gjithë neve si Kosovë. Jam tejet i shqetësuar me faktin se sot në sytë e BE dhe të SHBA, Kosova nga viktimë është shndërruar në fajtor për situatën e krijuar, ndërsa Serbia është shndërruar në partner konstruktiv. Fajtori i vetëm për këtë gjendje të krijuar e ka vetëm një emër, e ai është Albin Kurti. “, shkroi Haradinaj.
Ai numëroi disa dëme që sipas tij Kurti i solli Kosovës.
“Kurti arriti t’i dëmtojë marrëdhëniet e Kosovës edhe me SHBA edhe me evropianët; Kurti arriti ta heqë nga tavolina draftin dhe përpjekjen për të arritur marrëveshje përfundimtare për njohje me Serbinë;Kurti arriti të vendosë populizmin dhe egoizmin e tij mbi interesat e shtetit të Kosovës; Kurti arriti ta nxjerrë veriun nga kontrolli i Kosovës; Kurti arriti ta kthejë shtetin e Kosovës në shtetin e një individi që vet vendosë dhe vet vulosë; Kurti arriti të rikthejë tensionet për të cilat askush nuk mund ta parashikojë fundin; Kurti arriti ta çojë Kosovën në prag të ndarjes së veriut nga pjesa tjetër e shtetit; Dhe në fund, Kurti arriti të dëmtojë rëndë imazhin e Kosovës demokratike, multietnike, të përgjegjshme dhe që merr vendime të bashkërenduara me partnerët ndërkombëtarë duke e kthyer nga kontribues të stabilitetit në rajon, në element destabilizues. “, tha Haradinaj.
Ai shtoi se e vemtja alternativë është që të bashkëpunohet ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.
“Gjendja është kjo që është. Albin Kurti sot e ka vëtëm një rrugë, që është bashkëpunimi i ngushtë e pa kushte me partnerët tanë, posaçërisht me SHBA. Dhe këtë duhet ta bëjë jo për vete dhe qeverinë e tij, por për vendin, siguria e të cilit sot është më e rrezikuar se asnjëherë më parë.”, përfundoi i pari i AAK-së./21Media

Back to top button