Haradinaj: Kurti po rrezikon partneritetin me Amerikën

 
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti ta përgënjeshtrojë deklaratën e zëdhënësit të Qeverisë së marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë e nënshkruar në Uashington është juridikisht e pavlerë.
Në një deklaratë për media, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu kishte deklaruar në mes tjerash se marrëveshja e 4 shtatorit në Uashington, e nënshkruar nga qeveria Hoti  “nuk ka vlerë dhe natyrë juridike”, duke shtuar se ajo asnjëherë nuk ka shkuar në Kuvend për votim.
Haradinaj përmes një shkrimi në “Facebook” tha se nëse Kurti nuk e përgënjështron atë deklaratë do ta merr përgjegjësinë për rrezikimin e partneritetit me Amerikën.
“Nëse Kryeministri, nuk e përgënjeshtron këtë deklaratë të zëdhënësit të tij, ai merr gjithë përgjegjësinë e rrezikimit të partneritetit strategjik me Amerikën që është jetik për Kosovën. Këtë nuk do të mund ta bëjë askush, asnjë qeveri e asnjë kryeministër”, ka shkruar Haradinaj./21Media

Back to top button