Haradinaj-Kurtit: Na trego nëse e ke në plan t’i gjuash përgjegjësitë si herën e parë

 

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj sot ka kërkuar nga Qeveria Kurti 2 që të mos ndalë buxhetin për rrugën Deçan-Plavë. Sipas Haradinajt, kalkulimi për heqje të parave nga projektet kapitale duhet të bëhet me kujdes.

Në seancën e jashtëzakonshme ku është bërë prezantimi i programit qeverisës, Haradinaj ka thënë se rruga Deçan-Plavë është ëndërr e shqiptarëve, andaj sipas tij, qeveria duhet ta përkrahë këtë projekt.

“Vërtet rruga Deçan-Plavë, kryeministër ju e dini jeni me origjinë të familjes prej Malit të Zi, atje është një popull martir e presin me qindra vjet, nuk ka logjikë t’i hiqen paratë asaj rruge, nuk është rrugë për deçanasit, më së paku u hyn në punë deçanasve, ajo rrugë lidh popujt që i ka ndarë gjeografia, natyra, pushtuesit dhe është e dhimbshme të marrin vesh tani malësorët e Malit të Zi, se qeveria që e ka kryeministër një shqiptar me origjinë të Malit të Zi ua heq paratë, ua keni heq në qeverinë e parë, prapë jeni duke ua hequr, nuk ka logjikë të veprohet kështu. Bëni një kalkulim, po flisni për rrugë të reja që do t’i kryeni, por në fakt po e izoloni një ëndërr të shqiptarëve që të ketë një lidhje me tepër interes”, ka thënë Haradinaj.

Derisa ka komentuar programin qeverisës, Haradinaj ka thënë se i njëjti është ideor dhe nuk i ngjan një plani qeverisës, që sipas tij, ka mungesa të mëdha.

“Nëse e ke ndonjë plan t’i gjuash përgjegjësitë si herën e parë pas 50 ditësh, tregona të gjithë neve ta dimë që nuk është qëllimi te qeverisja. Nëse e ke në plan të rrish sa e ke mandatin, se ta ka besuar qytetari, ju lutem mos i shkel qytetarët, ata jua kanë dhënë besimin, por presin”, ka thënë Haradinaj.

Kryetari i AAK-së ka deklaruar se duhet të hartohet një plan implementues, me afate kohore, kosto dhe matje të efektit të masave.

Back to top button