Haradinaj-Kurtit: Rritje keni shënuar vetëm me importet e mallrave nga Serbia

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj kë kritikuar Qeverinë duke thënë se s’ka rritje ekonomike, por vetëm rritje të importit të mallrave nga Serbia.
“Rritja ekonomike sipas Bankës Botërore është 3.1% e jo siç e projektuat ju 10.5%. Inflacioni, poashtu sipas Bankës Botërore, është 19.1%. Kjo i bjen se fuqia blerëse e qytetarit të Kosovës, është përgjysmuar”, ka shkruar Haradinaj.
I pari i AAK-së madje ka thënë se në çdo sferë ekonomike e sociale ka rënie drastike.
“S’ka si të jetë ndryshe, kur janë shtrenjtuar gjithë artikujt e domosdoshëm për jetesë, e qeveria e ka bllokuar Ligjin e Pagave! E ka bllokuar edhe ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, siç ishte “Kosova e Re” dhe gazsjellësi amerikan, me arsyetime qesharake, se megavati prej 80 eurove i dukej i shtrenjtë, e sot, çmimi i tij pothuajse është dhjetfishuar. Nga 706 milionë të planifikuara me buxhetin e shtetit për investime kapitale, janë realizuar vetëm një e dhjeta e tyre”, ka shkruar tutje ai, ndërsa ka theksuar se rritje kanë shënuar vetëm importet e mallrave nga Serbia.
“Kjo qeveri e ka kapërcyer çdo parashikim dhe importet nga Serbia prej 174 milionë në vitin 2020, kanë mbërritur në mbi 306 milionë euro, që është për 76 % më shumë nga viti paraprak.Prandaj deklaratat për rritje ekonomike, pa fakte, janë ofendim për një vend e për një popull të tërë!”, ka thënë Haradinaj.
Kryeministri Albin Kurti, mbrëmë ka numëruar të arriturat e Qeverisë dhe “progresin ekonomik të Kosovës”./21Media

Back to top button