Haradinaj lexon draft-statutin e Asociacionit thotë se nuk i merr asnjë kompetencë komunave

(Lajm i përditësuar)


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se e ka lexuar në tërësi draft-statutin e Asociacionit gjatë takimit me përfaqësuesin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Ai para mediave tha se i njëjti i referohet Kushtetutës dhe në bazë të leximeve të para nuk i merr asnjë kompetencë komunave.

Përkitazi me këtë, Haradinaj tha se me themelimin e Asociacionit, Kosova bënë një hap të madh përpara dhe se si kundërpeshë e këtij kompromisi duhet anëtarësimi i shpejtë në NATO.


Haziri pas takimit me Lajçak: Nuk e kemi parë draftin e Asociacionit

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti se po mban në terr informativ partitë opozitare në lidhje me draft-statutin e Asociacionit.

Pas takimit me përfaqësuesin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, Haziri tha se nuk e kanë parë draftin por vetëm kanë diskutuar në terma të përgjithshëm në lidhje me atë.

Ai nënvizoi se Kosova nuk duhet të humbas këtë momentum për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.


Krasniqi: Lajçaku tha se drafti i Asociacionit është në pajtim me Kushtetutën

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se takimi me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak ishte informues.

Sipas tij, Lajçaku i ka informuar për hapat që ka ndërmarrë BE-ja, duke shtuar se ai e ka shprehur qëndrimin e BE-së dhe përfaqësuesve të tjerë, që drafti i Asociacionit që i është propozuar Qeverisë është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk shkon përtej vijave të kuqe.

Ai ka thënë se shqetësimet vazhdojnë pasi nuk i kanë parë ende detajet e tekstit.

Krasniqi ka deklaruar se vijat e kuqe të Kosovës kanë qenë të qarta që nga viti 2013, që Asociacioni të mos krijojë nivel të ri të pushtetit.

Sipas tij, këto janë qëndrime të konfirmuara dhe të tillat i ndalon edhe Kushtetuta.


Përfundon takimi i Lajçakut me opozitarët

Ka përfunduar një takim i emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak me liderët opozitarë.

RTV21 nga vendi i ngjarjes raporton se Lajçak është larguar nga zyra e BE-së.

Ai nuk u prononcua për media.


Lajçak përfundon takimin me ambasadorët, e vazhdon me opozitarët

Liderët opozitarë janë në takim me të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj i shoqëruar nga deputeti Besnik Tahiri dhe Lutfi Haziri i LDK-së kanë shkuar në takimin e thirrur nga Lajçaku.

Para takimit me opozitën, Lajçaku është takuar me disa nga ambasadorët në Kosovë.


Lajçak takon sot liderët e opozitës

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak edhe sot do të jetë në Kosovë.

Ai në Zyrën e BE-së nga ora 10:00 pritet t’i takojë liderët e partive opozitare, Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Memli Krasniqin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Ramush Haradinajn e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)./21Media

Back to top button