Haradinaj në Mal të Zi fton për investime në Kosovë

Sipas Kryeministrit, Kosova ofron mundësi të shumta për investime

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka marrë pjesë në Konferencën e Ekonomisë, Ballkani dhe Bashkimi Evropian – Cikli Pesëvjeçar i Procesit të Berlinit, ku u diskutua për perspektivën ekonomike dhe evropiane të Ballkanit së bashku me Kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviq, ministrin për Çështje Ekonomike të Maqedonisë, Kocho Angjushev dhe Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Tregtisë të Serbisë, Rasim Ljajic.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se Kosova ofron mundësi të shumta për investime, duke përfshirë lehtësira fiskale dhe infrastrukturë të konsoliduar. 

Haradinaj ka theksuar se Kosova është e hapur për të gjitha vendet e rajonit dhe se ekziston një bashkëpunim i mirë me vendet fqinje.”Në raport me Serbinë, Kryeministri Haradinaj tha se ekonomia e Serbisë tashmë e ka njohur Kosovën dhe do të ishte mirë që edhe politika e këtij shteti fqinj ta bënë këtë sa më shpejtë”, bëhet e ditur në komunikatën e kryeministrisë.

Në raport me CEFTA-n, Kosova ka marrë të gjitha obligimet ndërkombëtare kur ka qenë e përfaqësuar bashkë me UNMIK-un, por është e rëndësishme që të kuptohet se nga viti 2008 Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe vetëm si e tillë Kosova do të përfaqësohet në këtë organizatë dhe në dokumentet e marrëveshjet e ardhshme./21Media

Back to top button