Haradinaj nis vizitën në Gjermani: Bashkatdhetarët janë të gatshëm për të investuar në Kosovë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj me bashkëpunëtorë po qëndron për një vizitë në Gjermani.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, Haradinaj ka bërë të ditur se vizitën në Gjermani e ka filluar me një takim me shqiptarë të suksesshëm në fushën e biznesit.

“Vizitën time në Gjermani e nisa me bashkatdhetarë të suksesshëm në fushën e biznesit. Bashkë me kolegë nga Aleanca, fillimisht vizituam Gazmend Berishën, i cili na njoftoi nga afër me veprimtarinë e tij biznesore që ushtron në qytetin e Mynihut’. Në vizitë tek afaristët Ilir Sinani, Xhevat Ndrecaj, Afrim Bytyqi dhe Driton Tahiri, fola për rëndësinë që mërgata jonë ta shohë edhe Kosovën si vend ku mund të investojnë dhe të zhvillojnë bizneset e tyre ngjajshëm si në Gjermani”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka thënë se një Kosovë e fortë ekonomikisht i fuqizon edhe njerëzit e saj kudo në botë.

“Motrat e vëllezërit tanë që jetojnë jashtë vendit, janë edhe partnerët tanë në zhvillim, sepse Kosova e fortë fuqizon edhe më shumë njerëzit e saj në mbarë botën”, është shprehur Haradinaj./21Media

NDIQNI PJESËT MË INTERESANTE TË PROGRAMIT TË RTV21, DUKE BËRË LIKE KËTË FAQE – 21 MEDIA

Back to top button