Haradinaj: Pajtimi për të pranuar planin franko-gjerman, e arritur e madhe

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka thënë se pajtimi për ta pranuar propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, është një e arritur e madhe.
Haradinaj ka thënë se marrëveshja është pranim faktik i pavarësisë së Kosovës, e cila i rikthehet normalitetit politik e të sigurisë, perspektivës integruese euro-atlantike e njohjeve te reja.
“Po aq e rëndësishme mbetet edhe faza vijuese e bisedimeve për çështjet tjera të hapura, për të cilat dua të besoj se do te gjenden zgjidhjet më të mira, me çka do të përmbyllej edhe kapitulli i njohjes ‘de jure’ midis Kosovës dhe Serbisë!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Pas takimit trepalësh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka deklaruar se liderët e dy vendeve janë pajtuar që nuk nevojiten diskutime të tjera sa i përket planit evropian./21Media

Back to top button