Haradinaj përfundon dëshminë në Hagë: Kundërshtimin e kemi ndaj qasjes që ka prokuroria

Ish-nënkryetari i Organizatës së veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj a ka thënë se kundërshtimin e kanë ndaj qasjes që sipas tij po ndjek Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe jo ndaj Dhomave të Specializuara. Ai ka përfunduar dëshminë e tij para trupit gjykues.
Në ditën e katërt të dëshmisë së tij derisa i është përgjigjur pyetjeve të avokatit mbrojtës Toby Cadman, Haradinaj ka thënë se gjykatën e kupton si legjitime.
”Kundërshtimin e kemi vetëm ndaj qasjes që ka prokuroria, jo ndaj gjykatës, gjykatën e kuptoj si të mirëfilltë, të rregullt dhe legjitime”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka përsëritur se para gjykatës duhet të dalin të gjithë ata që kanë kryer krime ndërsa ka kundërshtuar funksionimin e gjykatës në mënyrë një etnike.
Avokati Cadman ka përmendur masakrat dhe krimet e Serbisë të kryera në Kosovë dhe e ka pyetur Haradinajn nëse është në dijeni për to.
Ndërsa Haradinaj është përgjigjur se është në dijeni.
Avokati Cadman: Në këtë proces gjyqësor keni dëgjuar dëshminë e një dëshmitari të prokurorisë, zonja Zdenka Pumper e cila i ka konfirmuar trupit gjykues se prokuroria nuk po heton kryesit serbë të krimeve, mund të ju pyes si ju bënë kjo ju që të ndjeheni?
Haradinaj: Jo vetëm mua që ndjehem keq, por të gjithë çka janë në Kosovë dhe shpresoj jo vetëm shqiptarët, por të gjithë ata të cilët me të vërtetë duan drejtësi ndjehen keq, edhe serbët, edhe nacionalitet e tjera sepse ka viktima nga të gjithë.
Avokati mbrojtës ka pyetur Haradinaj për arsyet të cilat e kanë shtyrë të ndërmarrë veprimet që lidhen me dokumentet që kishin arritur në zyrat e OVL-UÇK në shtator të vitit 2020.
”Zotëri avokat, krejt kjo për çka unë kam bërë dhe po akuzohem këtu, arsyeja nëse i kam bërë këto dhe këtë sa e kam bërë ka qenë vetëm transparenca dhe interesi publik dhe të tregoja se si po ndjehemi edhe ne si veteran edhe opinion publik, në fund të fundit unë e kam dhënë jetën për këtë popull dhe për demokracinë, prandaj kur shoh që mu kanë shkelë këto, kjo është për hir të transparencës dhe interesit publik asnjë send tjetër dhe njëanësisë që ka kjo prokurori”, ka thënë Haradinaj.
Edhe njëherë, Haradinaj ka thënë se asnjëherë nuk ka publikuar apo fotografuar dokumentet.
Pas përfundimit të dëshmisë së Haradinajt, derisa në gjykim është duke u paraqitur çështja e mbrojtjes, do të fillojë dëshmia e Rashit Qalajt i cili tashmë e ka lexuar betimin e dëshmitarit.
Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.
Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Back to top button