Haradinaj: Prodhimet e Rahovecit do ta pushtojnë tregun edhe në Evropë

Kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj ofron mbështetje për kulturat agrare

Kandidati për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, tha të enjten se nën qeverisjen e tij do të ketë më shumë mbështetje për bujqit dhe kulturat agrare, në mënyrë që të mbrohet dhe promovohen produktet vendore, ndërsa ka shprehur besimin se prodhimet e Rahovecit serish do ta pushtojnë tregun e jashtëm, jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se detyrë e institucioneve vendore do të jetë mbrojtja e interesave të qytetarëve dhe përkrahja për gjithë bujqit e Rahovecit dhe Kosovës.

“Njerëzit e vyeshëm dhe toka pjellore kësaj komune, meritojnë mbështetje shumë më të madhe nga shteti. Qeveria jonë, qeveria në ardhje e garanton këtë. Do t’i subvencionojmë bujqit dhe do t’i mbështesim kulturat agrare të kësaj treve. Do të rrimë afër njëri-tjetrit dhe kemi me punuar bashkë për të gjithat. Për politikat, legjislacionin dhe veprimet konkrete që duhet të merren në mënyrë që ta zhvillojmë bujqësinë, ta mbrojmë e promovojmë produktin vendor – bereqetin e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.

Tutje Haradinaj tha se prodhimet e Rahovecit do ta pushtojnë sërish tregun e jashtëm, jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë.

“Prodhimet e Rahovecit do t’i mbushin sofrat e Kosovës. Prodhimet e Rahovecit do ta pushtojnë sërish tregun e jashtëm, jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë. Atë që ia ka dhënë Zoti kësaj zone dhe këtyre njerëzve, neve na mbetet ta mbështesim fuqishëm”, ka shtuar Haradinaj.

Po ashtu Haradinaj kërkoi që më 11 qershor të votohet koalicioni i tij.

“Nuk kemi detyra tjera, përveç se me iu shërbyer dhe mbrojtur interesat e qytetarëve të vendit tonë. Dhe do ta bëjmë këtë. Zotohemi!

Më 11 qershor votojeni koalicionin me numrin 12, koalicionin e fitores për Kosovën, që pa vonesa t’i dal krahë bujkut të Rahovecit, bujkut të Kosovës”, ka përfunduar Haradinaj./21Media

Back to top button