Haradinaj-Stublla: ShBA, adresë e sigurt për Kosovën në çdo tavolinë

 

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj – Stublla, ka thënë se marrëveshja e cila u arrit dje në Washington për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike tregojnë se ShBA është adresë e sigurt për Kosovën.

Ndërsa njohjen nga Izraeli e ka quajtur rezultat i bashkëpunimit të shkëlqyeshëm ndërmjet Kosovës e Shteteve të Bashkuara.

“Njohja historike Kosovës nga Izraeli me ndërmjetësimin e ShBA-ve, është konfirmim i bashkëpunimit tonë dhe marrëdhënieve tona të shkëlqyeshme dypalëshe”, ka thënë ajo.

Ministrja Haradinaj-Stublla gjithashtu ka folur edhe për shpalljen e Hezbollah, si organizatë terroriste. “Shpallja e Hezbollah si organizatë terroriste dhe hapja e ambasadës në Jerusalem, dëshmojnë për vendosmërinë tonë që në implementimin e politikë sonë të jashtme të jemi në koordinim të plotë me politikën e jashtme të ShBA-ve”.

Haradinaj-Stublla me këtë rast e ka falënderuar Sekretarin Pompeo për mundësinë e dhënë Republikës së Kosovës që për herë të parë në historinë politike, të mund të dërgojë përfaqësuesin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Departamentin Amerikan të Shtetit si dhe për platformën që Departamenti i Shtetit do të zhvillojë me Kosovën, si shtet i parë në botë për shkëmbimin arsimor e kulturor./21Media

Back to top button