S’kalon rezoluta e AAK-së

(Lajm i përditësuar)
Më 21 vota për, 42 kundër dhe 1 abstenim, ka dështuar rezoluta e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për situatën e krijuar në veri.
Me këtë votim është përfunduar interpelanca e thirrur nga AAK-ja, ndërsa po vazhdon seanca plenare e planifikuar për në orën 14:00.
13:50 – Tahiri: Në veri po krijohet një realitet i ri

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se në veri po krijohet një realitet i ri dhe i dëmshëm për Kosovën.
Ai kritikoi Qeverinë e Kosovës për pasivitetin lidhur me këto zhvillime, pasi kjo sipas tij është e papranueshme.
“Prej 5 nëntorit, po bëhen 1 muaj që atje pak a shumë po krijohet një realitet i ri, mirëpo asnjë veprim të Qeverisë së Kosovës nuk po shohim dhe kjo është e papranueshme”, tha Tahiri në interpelancën ndaj kryeministrit Kurti në Kuvend, lidhur me situatën e krijuar në veri.
13:37- Abdixhiku-Kurtit: Pse jeni pajtuar që të bëhet asociacioni

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka akuzuar kryeministrin, Albin Kurti se me marrëveshjen e fundit për çështjen e targave ka pranuar implementimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ai në seancën e sotme të Kuvendit tha se cili është ndryshimi që e kanë sjellë kjo Qeveria, e cila në fushatë thoshte që nuk e bënë asociacionin, ndërsa qysh në marrëveshjen e parë që e nënshkruan zotohet për implementim të tij.
“Palët e kuptojnë që të gjitha marrëveshjet paraprake të dialogut duhet të implementohen dhe asociacioni. A është ky ndryshimi tani qoftë se është ndryshimi prej të kaluarës, pse jeni pajtuar që të bëhet asociacioni? Mund të thoni se nuk është i mirë dhe kemi vërejtje, por të bëni fushatë se nuk do ta bëni, e në marrëveshjen e parë që e nënshkruani, zotoheni për implementim. Çfarë ndryshimi është ky? Ose na flitni për tabela se si janë hequr, e keni nënshkruar marrëveshje për t’i mbajtur ato. Kjo është e vërteta kundrejt universit paralel që ndërtoni ju”, tha ai.
Ai tha se dialogu është interes i Kosovës jo sepse duhet bërë kompromise me Serbinë, por sepse duhet të kërkojmë marrëveshje finale që do t’i hapte Kosovës rrugët e ndërprerë drejt integrimit euro-atlantik.
“Dialogu është interes i Kosovës, jo sepse duhet bërë kompromise me Serbinë, sepse duhet të kërkojmë marrëveshje finale që do t’i hapte Kosovës rrugët e ndërprerë drejt integrimit euro-atlantik, dhe në këtë rrugë Kosova duhet të sigurojë njohjen e vendeve mosnjohëse nga BE-ja dhe përtej tyre të sigurojë sa më parë anëtarësimin në NATO e hapjen e kapitujve për anëtarësim në BE. Herë apo vonë, çdo akter politik në këtë vend do të kuptojë rëndësinë e kësaj ndërlidhjeje politike që kapërcen kufijtë e diskutimeve tona të brendshme. Herët apo vonë të gjitha parullat tona partiake do të duken të papesha siç duken sot parullat e kërkim-faljeve para dialogut e sovranitetit, pa aleatë e prioriteteve”, theksoi ai.
Kreu i LDK-së në këtë interpelancë tha se dorëheqja institucionale të serbëve lokalë mund të prodhojë incidente të reja në vazhdimësi brenda territorit të Kosovës, e që kjo sipas tij është në interes së Serbisë.
“Ne jemi në hall të vërtetë nëse vendimmarrja jonë shtetërore prihet nga euforia, mungesa e koordinimit apo moskuptimi i saktë i gjendjes në terren siç e kuptuam nga një intervistë e fundit e kryeministrit, dhe e dyta, ne jemi në vazhdimësi tani në potencial të pasjes së një gjendjes destabilizuese në vend nga dorëheqja institucionale e serbëve lokalë potencial që mund të prodhojë incidente të reja në vazhdimësi brenda territorit të Kosovës. Prodhimi i incidenteve të reja brenda territorit të Kosovës sërish është interes i Serbisë“, tha ai.
13:20 – Hoxhaj kritikon Kurtin: S’po shoh politikë për situatën në veri

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mungesë të politikës në raport me situatën e krijuar në veri të vendit.
Në interpelancën ndaj kryeministrit Kurit në Kuvend, Hoxhaj tha se 5 nëntori, dorëheqjet e serbëve nga institucioneve në veri është ora më e keqe e historisë moderne të shtetit të Kosovës.
“Data 5 nëntor është ora më e keqe e historisë moderne të shtetit të Kosovës, ku çka kemi ndërtuar nga viti 2008 është shembur me datën 5 nëntor…Pas datës 5 nëntor është një kolaps shtetëror dhe nuk është mirë që kryeministri në fjalën e tij të na tregojë sa paragrafë i ka komunikata e BE-së, por të na tregojë pse janë tërhequr 3000 zyrtarë shtetërorë, sa janë, kjo është me rëndësi për neve, jo numri i fjalëve të komunikatave të Borrell”, tha ai.
Hoxhaj tha se kryeministri Kurti nuk ka politikë se si të bëhet riintegrimin i veriut në institucionet e Kosovës.
“Nuk po shoh politikë të qeverisë në raport me situatën në veri, s’ka politikë. Masa, ç’masa, gjoba, asfalt në ndonjë rrugë, ky fshat, ai tjetri. Nuk ka politikë se sis të rinintegrohet veriu në institucionet e Kosovës. Prandaj në seancë të hapur ose mbyllur pres të dëgjoj prej kryeministrit se çka do të bëjë në veri dhe çka do të bëjë në raport me Serbinë. Cila është politika e qeverisë në raport me situatën aktuale”, shtoi ai.
Sipas tij, nëse kryeministri flet me gjuhën e njëjtë edhe në mars të vitit 2023, mund të jetë problemi Prishtinë-Mitrovicë e Veriut, të cilën e dëshiron Beogradi.
“Kam frikën se nëse në mars të vitit 2023, nëse flasim me gjuhën e njëjtë ne do të kemi problemin Prishtinë-Mitrovicë e Veriut dhe këtë e dëshiron Beogradi”, deklaroi Hoxhaj.
12:52-Deputeti i VV-së: Milan Radojçiq nuk është më “kingmaker” në shtetin e Kosovës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka thënë se ligjet e Kosovës dhe vendimet e qeverisë duhet zbatohen në çdo cep të territorit të vendit.
Ai në interpelancën e AAK-së ndaj kryeministrit Kurti në Kuvend, theksoi se nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq nuk është më dhe nuk do të jetë “kingmaker” në shtetin e Kosovës.
“Radojçiq nuk është më dhe nuk do të jetë ‘kingmaker’ në shtetin e Kosovës. Kosova është e interesuar që qytetarët e vendit në veri të ndihen mirë dhe bashkëpjesëmarrës në ndërtimin e demokracisë dhe avancimin e standardit të jetesës. Por kjo nënkupton edhe detyrimisht shkëputjen e krimit të organizuar nga politika”, tha ai.
Siç tha Muja, institucionet e shtetit nuk mund të lirohen nga përgjegjësia e vendimmarrjes.
“Kosova ka përgjegjësi dhe obligime ndaj secilit të Kosovës. Ligjet e këtij Kuvendi, vendimet e Qeverisë duhet të zbatohen në çdo cep të territorit. Institucionet e shtetit nuk mund të lirohen nga përgjegjësia e vendimmarrjes”, shtoi Muja.
12:25-Haradinaj: Të mbahet një samit në ShBA për marrëveshjen finale me Serbinë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka paraqitur një rezolutë në Kuvendin e Kosovës, lidhur me dialogun me Serbinë.
Haradinaj në seancën e sotme, ku po mbahet interpelanca ndaj kryeministrit Kurti, ka kërkuar nga institucionet që të fillojnë dialogun me serbët lokal për t’u kthyer në institucione, të ketë koordinim me opozitën dhe të mbahet një samit disa ditor në ShBA për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë.
“Situatat e jashtëzakonshme kërkojnë vendime të tilla, andaj duke pasur parasysh këtë situatë, i propozoj Kuvendit të votojë rezolutën me këto pika. Pika e parë është që Qeveria e Kosovës të marrë vendim për shtyrje të vendimit për targa deri në marrëveshje finale. Pika dy, institucionet e Kosovës, të fillojnë dialogun me serbët e Kosovës për t’u kthyer në institucionet e Kosovës dhe për të kthyer besimin e ndërsjellë. Pika tre është që Qeveria të nis komunikimin intensiv me faktorët më relevantë në vend, duke përfshirë edhe opozitës. Pika e katërt kërkohet një samit në ShBA deri në përmbylljen e marrëveshjes me Serbinë. Sikurse e dini të nderuar deputetë, kjo kërkesë për interpelancë ka ardhur para vendimi të fundit të qeverisë për shtyrje të vendimit për targa dhe ka ardhur në kohë të tensioneve. Tani mund të konstatojë se sa i përket pikës së parë ka një zhvillim të caktuar edhe pse nuk është që do t’i bënte nder Kosovës pranimit që në kohë të kërkesës amerikane. Mendoj se tri pikat të tjera qëndrojnë. Pse kjo rezolutë dhe ndikimi i saj, pasi në disa situata qeveria duhet të merr përkrahjen e parlamentit”, tha ai.
Megjithatë, Haradinaj renditi disa kritika karshi krerëve institucional, lidhur me situatën e krijuar javët e fundit, para arritjes së marrëveshjes për targa me Serbinë.
“Për fat të keq veprimet e deritanishme të institucioneve të Kosovës nuk kanë qenë në përputhje me situatën e krijuar. Kryeministri i vendit në vend që të përfillte kërkesën e ShBA-së për të shtyrë vendimin e marrëveshjes për targat, ka zgjedhur skenarin më të keq për zbatimin e fazave për këtë marrëveshje. Kjo i ka dhënë hapësirë Serbisë edhe të luaj rolin e viktimës dhe të ndërmarrë veprime anti-Kosovë. Fatkeqësisht as presidentja e vendit dhe as Kuvendi nuk kanë vepruar në përputhje me seriozitetin e situatës, duke vepruar se në këto dy javë nuk ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme”, tha ai.

Back to top button