Haradinaj: Tema e liberalizimit të vizave nuk është hequr nga tavolina

Haradinaj tha se nuk e kupton pse LDK dhe VV  janë kundër mandatimit  nga parlamenti të një delegacioni

Partia Social Demokrate ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës rezolutën ku parasheh që delegacioni shtetëror të udhëhiqet nga dy përfaqësues të opozitës edhe të koalicionit qeverisës.

Por, një gjë e tillë është  kundërshtuar nga LDK dhe VV. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se është e pakuptueshme  një veprim i këtyre dy partive opozitare.

Haradinaj megjithatë përshëndeti vendimin e PSD-së për të hyrë në ekip të dialogut.

“Nuk e kuptoj pse LDK dhe VV  janë kundër mandatimit  nga parlamenti të një delegacioni. Ata një kohë thonin jemi kundër  Thaçit, ose kundër këtij ose.. po tani pse janë kundër një delegacioni që parlamenti e autorizon, kjo është pak e habitshme, pra nuk e kuptoj këtë rend të punëve.  Unë e përshëndes këtë vendim  të përgjegjshëm  të Partisë Social Demokrate  të kryetarit të saj Shpend Ahmetit  për të marrë përgjegjësi për një procres  kaq me rëndësi për Kosovën”, tha Haradinaj sot pas mbledhjes së Qeverisë.

Sa i përket temës së liberalizimit të vizave Haradinaj  tha se nuk e sheh si temë të hequr nga tavolina, vetëm se do të pritet derisa të merret vendimi.

“Një deklaratë e sotme, ndryshe thënë unë kam shumë respekt për komisionerin Hahn, edhe me siguri ai e din çka flet. Ai e ka kryer misionin  e vet  në BE, ai e ka zor me vendos  çfarë do të ndodh në etapat tjera  ose dikush tjetër, pra unë nuk e shoh si temë të hjekur  nga tavolina, por si temë që ekziston në tavolinë, pra Kosova është në vendimin final  por duhet me u marr vendimi  këtë ne e kemi mungesë. Ne i kemi dy të tretat e vendimeve në BE, qind për qind të obligimeve tona në BE, por edhe  2/3 e vendimeve, edhe një ka mbet, për këtë nuk është vendos negativ, nuk u qit në tavolinë me thon jo nuk u japim, por nuk u merr vendimi, ky është dallimi”, tha Haradinaj.

I pyetur se një deklaratë e tillë a ka ardhur pas vendimit për rritjen e taksës 100 për qind, ai  tha se nuk mund të ndodh një gjë e tillë.

Kryeministri tha se vendimi për taksën, po ka tendencë që të hiqet, duke përmendur kështu edhe disa deklarata të opozitarëve.

 “Nga momenti i marrjes së  vendimit të taksës  100 për qind ne po i shohim  ka një dëshirë që  ky vendim mos me zënë vend. Mos me u bë ky vendim, në fuqinë e vet, edhe është e habitshme mos me lënë Kosovën me u konsoliduar lëre  Kosovën të kryer punën e veta, vendimi për taksat është legjitim  100 për qind, nuk ndryshon. Është vështirë me i dhanë çdo herë emër dhe mbiemër gjendjes, por ne hetojmë disa deklarime  të partive opozitare  në raste të caktuara, i kemi dëgjuar edhe deklarimet e LDK-së për taksën nuk janë fort të qartë , në atë se çfarë po vlerësojnë. Kemi dëgjuar edhe prej grupeve tjera politike, ky vendim nuk është vendim i Qeverisë  është i Kosovës, është i tyre”, tha kryeministri.

Kabineti qeveritar ka marrë vendim që bashkëshortes së ish presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova t’ i ndahet rrogë një mijë euro në muaj, veturë dhe shofer.

Në këtë mbledhje është aprovuar edhe draftkoncept dokumenti për trajtimin dhe kategorizimin e personave me aftësi të kufizuara.

Në këtë mbledhje zëvendësministri i Arsimit,Arbër Geci ka kërkuar dorëheqjen e shqyrtimit të Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Stitching Spark të Holandës mbi mbështetjen e Kolegjit, Ndërkombëtar të Biznesit Mitrovica.

Sipas tij, kjo ka qenë një marrëveshje me IBCM-në  e cila më vonë është konstatuar  se ka epitet lokal, duke shtuar se MASHT-i nuk mund ta nënshkruajë  këtë marrëveshje.

Në mbledhjen e sotme kabineti qeveritar ka ndarë 143 mijë euro për Federatën e Xhudos së Kosovës.

Back to top button