"Transparenca buxhetore është ndër qëllimet parësore të Ministrisë së Financave"

“Transparenca buxhetore është ndër qëllimet parësore të Ministrisë së Financave”

Ministria e Financave në bashkëpunim me Projektin për Reformën e Financave Publike në Kosovë, të implementuar nga Bashkëpunimi Zhvillimor Gjerman (GIZ) në emër të Ministrisë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim ka lansuar sot për publikun “Portalin e Transparencës”, i cili nga të pranishmit u cilësua si një ndër projektet më të rëndësishme të realizuara për transparencën buxhetore, jo vetëm në vend, por edhe më tej.

Me këtë rast, ministri i Financave, Bedri Hamza theksoi se Transparenca buxhetore është ndër qëllimet parësore të Ministrisë së Financave, andaj stafi i Ministrisë së Financave në vazhdimësi punon që të avancojë transparencën dhe llogaridhënien buxhetore, si një ndër parakushtet kryesore për ngritjen e efikasitetit të menaxhimit të financave publike.

Ai gjithashtu vlerësoi lartë punën dhe përkushtimin e Zyrës për Komunikim Publik në Ministrinë e Financave dhe mbështetjen e shtetit gjerman përmes GIZ-it, ku sipas tij e bënë të munduar që sot të lansohet për publik Portali i Transparencës, përmes të cilit për herë të parë do të kenë qasje në të dhënat e Buxhetit të shtetit jo vetëm qytetarët e Kosovës por edhe të gjitha organizatat buxhetore, qoftë të nivelit qendror apo atij lokal.

Sipas tij, me lansimin e sotëm të Portalit të Transparencës hapet një dritare informative shumë e nevojshme për buxhetin e shtetit, ku informatat do të jenë të qasshme në formë analitike dhe krahasueshmërie.  Hamza shfrytëzoi rastin që të falënderoj Qeverinë gjermane, që përmes GIZ-it e ka mbështetur financiarisht këtë projekt, por edhe projekte të tjera të cilat ndikojnë në avancimin e menaxhimit të financave publike, si dhe në mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt tha se Qeveria Gjermane nëpërmjet Projektit për Reformën e Financave Publike në Kosovë të implementuar nga GIZ ka mbështetur Ministrinë e Financave në fuqizimin e transparencës së proceseve buxhetore me anë të publikimit të Informatorit për Qytetarë në vitin 2017 dhe 2018, dhe duke vazhduar me versionin më të sofistikuar që është Portali i Transparencës i cili përmban të dhëna për vitet 2015, 2016, 2017, 2018.

Sipas ambasadorit gjerman Heldt, lansimi i këtij portali është një hap shumë i rëndësishëm drejt një politike fiskale më të demokratizuar dhe më llogaridhënëse.

Ai gjithashtu theksoi se teknologjitë digjitale të përdorura nga Qeveria kanë potencialin për të transformuar mënyrën se si paraja publike organizohet, si qarkullohet dhe si përdoret nga shoqëria, gjë që mund të formësojë karakterin e debatit publik, angazhimit demokratik, llogaridhënies dhe participimit publik në vendim-marrjen për fondet publike.

“Lansimi i Portalit të Transparencës sot nga ana e Ministrisë së Financave i bën informatat për buxhetin lehtësisht të lexueshme duke u siguruar se informatat për rrjedhën e resurseve publike janë të qasshme në një format të kuptueshëm edhe për audiencën që nuk i përkasin grupeve të specializuara në këtë fushë”, shtoi Heldt./21Media