Haradinaj-Vuçiqit: Kosova po e kërkon vetëm atë që i takon

 

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj sot iu kundërpërgjigj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ç’rast u shpreh se për sa kohë ai i duket i rrezikshëm Vuçiqit dhe Serbisë, Kosova është në rrugë të drejtë.

Haradinaj u shpreh se Kosova po e kërkon vetëm atë që i takon.

“Mos keni frikë, z Vuçiq. Nuk keni nevojë të jeni nervoz. Kosova vetëm po e kërkon atë që i takon. Nëse ju dhe të tjerët dëshironi ta shmangni një referendum mbi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në vitin 2025, ka një mënyrë shumë të thjeshtë: Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur. Tutje, Kosova e di rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO, BE dhe OKB. Me retorikë histerike nuk do të na ndaloni në të drejten tonë për të definuar të ardhmen e Kosovës.”, shkroi Haradinaj në facebook.

Kreu i AAK-së u shpreh se betimi i tij për bashkim me Shqipërinë vjen si rezultat i neglizhencës së vazhdueshme të Brukselit lidhur me Kosovën.

“Kosova dhe qytetarët e saj janë më pro-perëndimorët dhe si të tillë nuk e meritojnë të përbuzen, injorohen dhe kushtëzohen në pafundësi!”, shtoi tutje Haradinaj.

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, së fundmi u shpreh se nëse nuk do të ketë përparim brenda pesë vitesh në Kosovë, “do të shkojmë në referendum për bashkim me Shqipërinë”. Lidhur me këtë deklaratë, presidenti  Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se pret reagime nga Washingtoni e Brukseli. Vuçiq deklaroi se në rast se Serbia do të fliste me bashkimin me dikë tjetër në Ballkan, do të sanksiononin atë./21Media

Back to top button