Hasani: Nëse Kushtetuesja vendos që mandati i presidentes të ndërpritet, është absurditet
Dy deputetë të zgjedhur më 14 shkurt 2021, sipas raportimeve, mund të shpallen jo-legjitim nga Gjykata Kushtetuese, bazuar në ankesën e dy kandidatëve për deputetë nga komunitetet, Albert Kinolli dhe Veton Berisha, të cilët pretendojnë se mandatet tyre u përjashtuan jashtëligjshëm. Mundësia e rifitimit të mandatit të kontestuar, ka nxitur një diskutim të gjerë, nëse rasti i tyre mund të ndërlidhet me fatin e mandatit të Presidentes së vendit. Kjo për shkak se në vend të Berishës dhe Kinollit, dy deputetët e zgjedhur me vota, siç thuhet kontestuese, kishin marrë pjesë në zgjedhjen e presidentes, Vjosa Osmani.
Për këtë çështje sonte në emisionin debatues “Click” në RTV21 avokati, Jeton Hasani, i cili asokohe si pjesë e IKD-së kishte përfaqësuar rastin e deputetit Veton Berisha, tha se nëse Kushtetuesja vendos që mandati i presidentes të ndërpritet, është absurditet juridik.
“Sipas vlerësimit tim profesional do të ishte absurditet juridik nëse Gjykata Kushtetuese vendos që mandati i presidenëts ndërpritet. Tash nëse qëllimi i Veton Berishës në ankesën e tij kushtetuese ka qenë që të vijë ai në vend të deputetit jolegjitim aty në Kuvend, me kaq duhet të mbarojë çështja e shtrirjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Nëse shkohet më tej më e shumta që mundet me u bë është që mandati i atij deputeti për të ardhmen të shfuqizohet, nëse shkon me efekt prapaveprues kjo d.m.th që ata deputetë nuk kanë qenë kurrë, që çdo vendim i tyre duhet të kontestohet. Në rastin konkret të presidentës e thamë që nuk është problemi të shumica për vendimmarrje sepse do të kishte kuorum edhe të mos ishte deputeti i kontestueshëm aty”, tha Hasani./21Media