Haxhiu: Kodi Civil do të procedohet në Kuvend brenda këtij viti

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se Kodi Civil dhe ai i Procedurës Civile do të procedohen gjatë këtij viti në Kuvendin e Kosovës. Po ashtu, ajo shtoi se për herë të parë do të themelohet Gjykata Administrative me divizionet e veçanta për trajtimin e kontesteve të punës.

Pas mbledhjes së qeverisë, ajo ka prezantuar koncept-dokumentin e Kodit të Procedurës Civile dhe për Gjykatën Administrative dhe të Punës.

“I njëjti (koncept-dokumenti) adreson problemet në kontestet gjyqësore, administrative dhe kontestet e punës në gjykata. Për herë të parë në Republikën e Kosovës, pas procedimit të projektligjit në Kuvendin e Kosovës, do të kemi Gjykatë Administrative të specializuar. Për herë të parë do të themelohen divizionet e veçanta për trajtimin e kontesteve të punës. Pra, divizione të veçanta në kuadër të gjykatave themelore. Gjykata Administrative do të trajtojë të gjitha kontestet administrative dhe ato të punës në sektorin publik. Dhe në anën tjetër, divizionet e veçanta do të trajtojnë kontestet e punës të cilat vijnë nga sektori privat. Për herë të parë parashihen masa dhe ndryshime ligjore për të ardhmen, përmes të cilave punëtorëve nga sektori privat do të ju ofrohet ndihmë juridike falas”, theksoi ajo.

Ajo shtoi se kur ka nisur puna në hartimin e koncept-dokumentit kanë qenë më shumë se 10 mijë lëndë të natyrës administrative, të cilat trajtohen nga gjykatat. Haxhiu deklaroi se deri në muajin dhjetor do të procedohet ky koncept-dokument në Kuvendin e Kosovës.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë është miratuar edhe koncept-dokumenti për Kodin e Procedurës Civile, ku Haxhiu tha se pesë pjesët e tij janë dispozitat e përgjithshme.

“Planifikojmë që brenda këtij viti t’i procedojmë edhe Kodin Civil edhe Kodin e Procedurës Civile. Dhe sigurisht mund të pyetem se pse deri tash nuk është proceduar, unë ju kam treguar edhe në konferenca për media të kaluara edhe komunikimet që bashkërisht që kemi pasur në kuadër të takimeve në Ministrinë e Drejtësisë që ne jemi duke punuar me deputetët e Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që Kodi Civil të mos dështojë, pra të shkojë në Kuvend. Qëllimi ynë është që të mos dështojë. Prandaj edhe po sigurohemi që do ta kemi mbështetjen e deputetëve të Grupit Parlamentar, sikurse edhe deputetët e opozitës, sepse ky dokument prek interesat e qytetarëve, prandaj këtu ka obligim dhe përgjegjësi edhe opozita”, shtoi Haxhiu në konferencë për media.

Pas mbledhjes së qeverisë, Haxhiu deklaroi se të gjithë serbët që paguhen nga shteti në Ministrinë e Drejtësisë janë duke vijuar punën.

“Në Ministrinë e Drejtësisë, kryesisht Shërbimin Korrektues të Kosovës nuk ka asnjë zyrtarë, i cili është i punësuar dhe nuk shkon në punë. Pra, secili prej oficerëve korrektues në Republikën e Kosovës pavarësisht komuniteteve, qofshin serbë, qofshin shqiptarë, qofshin turq, boshnjakë, romë, ashkalinjë, shkojnë në mënyrë të rregullt në vendin e tyre të punës. Në rastet kur ne jemi në dijeni për një veprim të tillë, sigurisht që janë komisionet disiplinore që e trajtojnë këtë rast”, u shpreh ajo.

Sa i përket shpërfilljes së mediave dhe komunikimit të ministrave në rrjete sociale, ministri Hekuran Murati dhe Albulena Haxhiu thanë se kjo po bëhet për shkak të kursimit të kohës dhe se po mundohen të jenë sa më transparentë.

Back to top button