Haxhiu nga Haga: Bota ta dijë se kriminelët ishin në anën e Serbisë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu të mërkurën ka udhëtuar për në Hagë, për t’i takuar sh-pjesëtarët e UÇK-së, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Hysni Gucati, Nasim Haradinaj dhe Pjetër Shala, të cilët po mbahen në paraburgimin e Gjykatës Speciale.
Haxhiu nga Haga ka shkruar për masakrat e kryera nga serbët në Pastaselë të Rahovecit dhe në Burim të Malishevës 23 vjet më parë.
Haxhiu ka thënë se 23 vjet më parë, Kosova po përjetonte një gjenocid të tmerrshëm të vrasjeve masive të popullsisë civile. “Një pranverë e cila po karakterizohej me operacione shoviniste të Serbisë ndaj popullsisë shqiptare”.
“Në Pastaselë të Rahovecit më 31 mars 1999 u ekzekutuan dhe masakruan 106 shqiptarë nga ky fshat dhe fshatrat e tjera që kishin ardhur për strehim. Në Burim të Malishevës, më 31 mars 1999 janë vrarë 42 shqiptarë, kufomat e të cilëve janë masakruar. Viktimat ishin nga mosha 16 – 72 vjeç. Nëse botërisht ishte e qartë se kush ishin kriminelët e luftës, në vitin 1998/1999, bota duhet të dijë sërish, se kriminelët ishin në anën e Serbisë. Shumë prej tyre vazhdojnë ende të mbesin të lirë”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Haxhiu tutje ka shkruar se drejtësia ende mungon për viktimat, për familjarët dhe për popullin e Kosovës.
Tutje ka theksuar se “institucioneve të Republikës iu mbetet të përkushtohen edhe më tej që kriminelët serb të dalin para drejtësisë”./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?