Haxhiu: Qeveria po u serviloset ndërkombëtarëve, po del kundër qytetarëve

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka reaguar ndaj qeverisë rreth çështjes së Trustit, duke thënë se ajo po përdor si arsyetim Fondin Monetar Ndërkombëtar për të ikur nga përgjegjësia qeverisëse dhe kërkesat e qytetarëve.
Haxhiu përmes një postimi në “Facebook” ka thënë se për të është më rëndësi kërkesa e qytetarëve, sepse sipas tij, FMN-ja, qeveritarët dhe deputetët qëndrojnë mirë ekonomikisht.
“Pa koment servilosja e pushtetit ndaj ndërkombëtarëve, kundër qytetarëve! Ne jemi të zgjedhur nga vet qytetarët dhe jo nga FMN-ja prandaj edhe jemi zëri i tyre në Kuvend”, ka thënë Haxhiu.
Deputeti i PDK-së, tutje ka thënë se mos rritja e pagave, mbështetja për shtrenjtim të energjisë elektrike kur kemi rritje të çmimeve të konsumit të përditshme ditorë dhe kundërshtimi me forcë për tërheqjen e Trustit, s’ke si e vlerëson ndryshe përveç deklaratë politike joprofesionale.
“Deri dikun edhe e kuptueshme për ta, por jo për qytetarët kur 1 miliard e 734 milionë të Trustit janë të investuara jashtë Kosovës”, ka shkruar Haxhiu.
Ai gjatë një shkrimi në “Facebook”, komentoi edhe deklaratën e ministrit, Hekuran Murati i cili ka thënë “se ka vërejtur një gjallëri në markete” pas ndarjes së 100 eurove nga Qeveria. Haxhiu ka pyetur se me tërheqjen e Trustit sa do të jetë gjallëria në markete?
“Kjo vërteton kërkesën emergjente të qytetarëve për tërheqjen e Trustit, pasi gjendja e tyre ekonomike është rënduar shumë”, ka përfunduar ai.
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka dalë kundër iniciativës për tërheqjen e 30% të kursimeve nga Trusti dhe kthimin e tarifave të rrymës, siç kanë qenë para shtrenjtimit./21Media

Back to top button