30 vjet nga themelimi i Komitetit Olimpik të Kosovës

Sot janë bërë 30 vjet që kur u themelua Komiteti Olimpik i Kosovës.
27 maji i vitit 1992 ishte dita kur sporti i Kosovës u bë me institucionin më të lart sportiv të vendit, Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK).
Në këtë ditë, në objektin e Rilindjes në Prishtinë, ishin mbledhur emra të njohur të sportit, kontribuues të mëdhenj, të cilët themeluan Komitetin Olimpik të Kosovës.
Me këtë rast, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, shprehu mirënjohjen dhe falënderimet e panumërta për të gjithë ata që kontribuuan dhe u mblodhën për ta themeluar KOK-un.
”I falënderoj përzemërsisht të gjithë ata që morën guximin dhe u mblodhën për të themeluar KOK-un, duke rrezikuar kështu edhe jetën e tyre nga regjimi serb, i cili me arrestime dhe burgosje të kontribuuesve të sportit, tentonte të ndalonte çdo veprimtari tonën sportive. 27 maji i vitit 1992, është datë me rëndësi të veçantë për lëvizjen olimpike, pasi themelimi i KOK-ut u hapi rrugën edhe shumë federatave sportive, të cilat nisën veprimtarinë e tyre të pavarur nga sporti i ish-Jugosllavisë”, tha Krasniqi.
Ky i fundit shtoi se në këtë përvjetor jubilar, KOK-u ndodhet në rrethana tjera, i barabartë me të gjitha Komitetet Olimpike Kombëtare, falë anëtarësimit në IOC më 9 dhjetor 2014.
Krasniqi ka falënderuar edhe të gjithë anëtarët e Bordeve Ekzekutive, si dhe ish-presidentët që drejtuan KOK-un: Veton Surroi, Shaqir Shaqiri dhe Besim Hasani.
Atëkohë, më 27 maj 1992, kryesia e parë e KOK-ut përbëhej nga nëntë anëtarë si: Veton Surroi (kryetar), Prof. Dr. Behlul Brestovci (nënkryetar), Prof. Dr. Esat Staviceli (basketboll), Aziz Salihu (boks), Fahri Buçinca (hendboll) dhe Hysen Rakovica (FKF), derisa një anëtar u zgjodh më vonë.
Këshilli mbikëqyrës u përbë nga Ismail Hyseni, Bedri Hamza dhe Adem Fejzullahu. Krahas anëtarëve, që vinin kryesisht nga sportet olimpike, u zgjodhën edhe punëtorët dhe ish-sportistët meritorë si: Fadil Vokrri, Hysen Syla, Mustafë Syla, Muhamet Berisha, Mehmet Bogujevci, Sefedin Reçica, Agim Kasapolli dhe Isak Latiti./21Media

Back to top button