Helmohen 3 persona, raportohen se kanë pirë ujë në një lokal

Tre persona, nënë e bir dhe kamarieri i një lokali kanë përfunduar në spital me shenja helmimi mbrëmjen e djeshme në Shkodër, Shqipëri.
Bëhet me dije se një grua 41-vjeçare dhe djali i saj 14 vjeç, dyshohet se janë helmuar nga uji i konsumuar në një lokal.
Mësohet se nënë e bir janë dërguar për mjekim më të specializuar, në Tiranë.
Gjithashtu edhe kamerieri i lokalit është dërguar në spital me shenja helmimi.
“Më datë 28.12.2022, rreth orës 23:30, në Spitalin Rajonal Shkodër, janë paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore, shtetasja A. Z., 41 vjeçe dhe djali i saj, shtetasi A. Z., 14 vjeç, banues në Malësi të Madhe, si dhe shtetasi M. M., 30 vjeç (kamarier i lokalit), banues në Shkodër, të cilët dyshohet se janë helmuar nga uji i konsumuar në një lokal, në Shkodër. Shtetasja A. Z., së bashku me djalin e saj, janë dërguar për mjekim më të specializuar, në Tiranë. Grupi hetimor, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të AKU-së, Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon intensivisht punën për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje”, ka thënë Policia.
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe Ujësjellësi i Shkodrës, i cili sqaron se helmimi ka ardhur nga konsumimi i ujit të ambalazhuar.
“Ujësjellës Kanalizime Shkodër, në kuadër të transparencës dhe komunikimit me klientët e vet, sqaron opinionin publik lidhur me një lajm që është shpërndarë minutat e fundit: Personat nënë e bir dhe një kamarier, janë intoksikuar pasi kanë konsumuar ujë të ambalazhuar nga një kompani. Kjo konfirmohet edhe nga Prokuroria dhe AKU që bashkarisht po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. UK Shkodër siguron klientët për cilësinë e ujit, monitoruar periodikisht nga specialistë të Drejtorisë së Shendetit Publik Shkodër”, thuhet në reagimin e Ujësjellës-Kanalizimeve në Shkodër.

Back to top button