Heqja e barrikadave, Rama: Shfaqje që zgjati ca më shumë, fundi i njëjtë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar lidhur me tërheqjen e barrikadave në veri të Kosovës.
Rama ka thënë se “shfaqja zgjati ca më shumë”, ndërsa ka ironizuar edhe me reagimin e Bashkimit Evropian e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që sipas Ramës, i konsideruan barrikadat si protestë paqësore.
Pyetja mbeti po ajo që ishte përpara këtyre barrikadave paqësore e deklaratave armiqësore! Dhe deri kur përgjigjet e ndryshme të nisen po njësoj nga e shkuara, pyetja do të mbetet po aty edhe pas shfaqjes së rradhës, kur barrikadat të thyejnë paqësisht monotoninë e hiçzgjidhjes!
— Edi Rama (@ediramaal) December 29, 2022
Pasditen e së enjtes janë larguar barrikadat në fshatin Rudarë, i cili gjindet në komunën e Zveçanit. Barrikadat janë larguar edhe në Mitrovicë të Veriut. Barrikadat janë hequr nga rrugët edhe në komunën e Leposaviqit dhe të Zubin Potokut.
Rrugët kryesore që çojnë drejt Jarinjës dhe Bërnjakut – pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë – ishin bllokuar që nga 10 dhjetori. Barrikadat në veri të Kosovës u ngritën nga disa grupe serbësh, për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb të Policisë së Kosovës. Dejan Pantiq u arrestua nën dyshimet për sulm ndaj zyrtarëve kosovarë, në fillim të dhjetorit. Më 28 dhjetor, Pantiqit iu zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak./21Media